AktualitetTë fundit

Kontrolle për shkak të nxitjes së urrejtjes në internet

Enti Federal i Kriminalistikës në Gjermani ka kryer duzina kontrollesh kundër të pandehurve për përhapje të komenteve që nxisin urrejtjen në internet.

Operacioni me 38 masa të ndërmarra, sipas Entit Federal të Kriminalistikës (BKA) u krye njëkohësisht në 13 lande federale dhe ishte pjesë e një dite aksioni. Në mbarë federatën ka pasur kontrolloe dhe marrje në pyetje të të dyshuarve. Autoriteti i akuzon të dyshuarit për postime në internet që përmbajnë thirrjen publike për akte penale, ofendim personash apo fyerje me motive antisemitiste.

Aksioni mbarëfederal kundër postimeve per nxitje të urrejtjes është iniciuar para tre vjetësh nga BKA. Në vitin 2017, sipas të dhënave të BKA janë regjistruar 2270 raste të kriminalitetit të urrejtjes dhe në vitin 2018 vetëm 1472 raste. Tre ndër katër postime i përkasin spektrit të ekstremit të djathtë.

Më parë i ngarkuari i Qeverisë federale për antisemitizmin, Felix Klein, duke iu referuar vrasjes së politikanit kristiandemokrat në Kasel, Walter Lübcke, bëri thirrje për rregulla më të rrepta të BE-së në rrjet kundër mesazheve të urrejtjes. Një nismë përkatëse të kryeministrit të Hesenit, Volker Bouffier “e përshëndes dhe e mbështes shumë”, i tha Klein agjencisë së lajmeve DPA. Vrasja e politikanit kristiandemokrat shkaktoi një valë komentesh dashakeqëse në rrjetet sociale, shkas për këtë mund të ketë qenë angazhimi i tij për refugjatët në vitin 2015. “Këto reagime në rrjet janë pëçmuese ndaj njeriut dhe nxiten prej instinkteve primitive”, i tha Bouffier revistës “Der Spiegel”. “Ne duhet të kudjesemi, që këto komente të shuhen sa më shpejt.”

Reagim në nivel europian

Bouffier e sheh në këtë drejtim përgjegjësinë tek platformat që shpërndajnë informacionin. Klein thekson: “Ka ardhur koha, që edhe në nivel europian të mos tolerohet urrejtja dhe të kujdesemi që në internet dhe në rrjetet sociale të aplikohen të njëjtat vlera si në jetën reale.”

Komisioni i BE më 2016 ra dakord me katër sipërmarjet e mëdha online – Facebook, Microsoft, YouTube dhe Twitter – për një kod vullnetar të sjelljes. Ndërkohë këtë dokument e kanë nënshkruar edhe rrjete të tjera si Snapchat. Kuota e komenteve të urretjjes të postuara dhe të shuara në fund të vitit 2018, sipas Komisionit të BE-së, ka qenë rreth 72%. Një zëdhënëse e Facebook lidhur me kritikat ka thënë, se “komentet që e vlerësojnë këtë akt dhune, nuk kanë vend në Facebook. Nëse ne jemi të vëmendshëm ndaj të tilla përmbajtjeve i shuajmë ato.”

Reagimi i presidentit Steinmeier

Edhe presidenti Frank-Walter Steinmeier i dënoi ashpër reagimet në rrjetet sociale ndaj vrasjes brutale të politikanit Lübcke. Presidenti përdori fjalë të qarta, duke i quajtur reagimet me nxitje të urrejtjes si cinike, pa shije, të pështira dhe perverse.” Steinmeier kërkoi, që të rritet ndjenja e përgjegjësisë tek platformat që përhapin të tilla mesazhe urrejtje.

Lübcke u gjet i vrarë natën e së dielës (02.06) në tarracën e shtëpisë së tij në Wolfhagen-Istha. Sfondi i vrasjes deri tani është i paqartë. Si president i qeverisë së landit, Lübcke në vitin 2015 ka qenë përgjegjës për ndërtimin e strehimoreve të refugjatëve në qarkun e tij./DW

 

Fraksion.com