DW: Merkel refuzon kërkesën e KE për hapjen e negociatave
Süddeutsche Zeitung i referohet takimit të komisionit të Bundestagut për Europën. Merkel thuhet ka refuzuar aty kërkesën e Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Me këtë kancelarja del qartazi kundër partnerit në koalicion, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah votimin pro për hapjen e negociatave në Këshillin e BE më 18 qershor. Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (SPD) është një nga politikanët gjermanë që është angazhuar fort javët e fundit për hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në intervista të ndryshme, se angazhimi i Shqipërisë për reforma duhet të vlerësohet.
CDU/CSU dhe SPD me qëndrime të ndryshme
Mospërputhja e qëndrimeve brenda koalicionit qeverisës gjerman u vu re hapur pas publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian në fund të majit. KE kërkoi hapjen e shpejtë të negociatave si me Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut. Por CDU/CSU është e rezervuar edhe këtë vit, ajo ka nevojë për analizë të kujdesshme raportit. Deputeti gjerman i CDU, dhe kryesues i grupit parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Johann Wadepuhl, ka thënë se CDU/CSU do duhet të shqyrtojë me kujdes raportet e progresit mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim një vendim të përgjegjshëm nëse janë plotësuar me të vërtetë kushtet e fillimit të negociatave për anëtarësim të këtyre dy vendeve në BE”, ka thënë Wadephul në një deklaratë të publikuar menjëherë pas publikimit të progres-raportit të KE në fund të majit. Për Wadephul, Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018.
Për shkak të kalendarit të punës të CDU/CSU nuk besohet, se kjo temë do të shqyrtohet para vjeshtës.
Fraksion.com