Gjonaj dhe Lleshaj takime me deputetë dhe përfaqësues të Bundestagut gjerman
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Berlin, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilluan takime me deputetët e Bundestagut Gjerman, Johann Wadephul, Anëtar i Komitetit për Punët e Brendshme dhe i Komitetit për Çështjet Evropiane në Bundestag, Joaschim Falenski, Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë i Partisë CDU dhe Christian Schmidt, Reporter për Shqipërinë në Bundestag.
Ministrja Gjonaj në fjalën e saj u ndal te arritjet e Reformës në Drejtësi si një nga reformat më të suksesshme duke krijuar një mënyrë krejtësisht të re të funksionimit të sistemit së drejtësisë në Shqipëri.
‘’Organet e reja KLP dhe KLGJ kanë filluar funksionimin e tyre si dhe në përgjigje të interesimit të shfaqur nga përfaqësuesit e Bundestag, i bëri me dije që në muajt në vijim do të ngrihen edhe organet e tjera të sistemit duke theksuar faktin që deri në fund të muajit korrik të këtij viti pritet gjithashtu të përfundoi edhe emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese duke plotësuar kështu vakancat e sistemit’’, theksoi Gjonaj.
Ministrja gjithashtu bëri me dije se lufta ndaj korrupsionit, si një nga prioritetet kryesor të Qeverisë shqiptare në shërbim të interesit më të lartë të qytetarëve shqiptar, ka arritur deri tani rezultate shumë të kënaqshme vlerësuar edhe në Progres raport dhe anëtarësimi në BE do të shërbente si një shtysë e mëtejshme për vazhdimin e këtyre reformave.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se progresi i arritur nga Shqipëria vitet e fundit i atribuohet reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare. Si kurrë më parë Shqipëria ka rritur bashkëpunimin me shtetet e BE-së në shumë sektorë të vendit dhe populli shqiptar është më pro anëtarësimit në BE, ndër vendet e rajonit.
“Kjo është arsyeja pse hapja e negociatave do të ishte një shtysë akoma më e madhe që të vazhdohet nxitja e tyre”, u shpreh Lleshaj.
Ministri i Brendshëm gjithashtu theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të lartë në luftën kundër krimit të organizuar duke prezantuar shifrat e larta të numrit të grupeve kriminale të kapura gjatë kësaj kohe në Shqipëri.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e Bundestagut Gjerman vlerësuan arritjet e reformave të ndërmarra nga Shqipëria gjatë kësaj kohe, duke nxitur dhe inkurajuar më tej vazhdimësinë e tyre në këtë kohë të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në BE.
Në përfundim të takimit duke falënderuar Ministrat shqiptar për prezantimin e rezultateve të reformave në vend, përfaqësuesit gjerman u shprehën se bashkëpunimi midis dy vendeve do të vazhdojë më tej dhe Gjermania është e gatshme që të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj për anëtarësimin në BE, duke ofruar gjithashtu ndihmën dhe mbështetje për realizimin e reformave të ndërmarra.