AktualitetBota+Të fundit

Po tani? Ngjarjet te SPD dhe pasojat

Dorëheqja e Andrea Nahlesit si kryetare i SPD-së e tronditi politikën gjermane. Zgjedhje të reja, ndryshim i koalicionit, qeveri pakice – si do të ecë puna më tej? Skenarët e mundshëm për të ardhmen dhe statuskuoja.

Drama e koalicionit të madh qeveritar: SPD-ja është aktualisht në “koalicionin e madh” të tretë nën Angela Merkel-in së bashku me partitë unioniste CDU / CSU. Ajo ka humbur ndërkohë masivisht votues, megjithëse shumë projekte të SPD-së janë zbatuar. Rezultatet e reja të dobëta të zgjedhjeve e bënë gotën të derdhet. Andrea Nahlesi dorëzoi postet e saj si drejtuese e partisë dhe si kryetare e Grupit parlamentar në Bundestag.

Shmangia e vakumit të pushtetit: SPD-ja nuk ka liderë të rinj. Megjithatë, kjo parti gjeti shpejt zëvendësim për Andrea Nahles – me anë të kandidatëve kalimtarë. Se kur do të zgjidhen kryesia e partisë dhe e grupit parlamentar – kjo mbetet e hapur.

Dilemë strategjike e SPD-së: Socialdemokratët kanë humbur shumë votues klasikë. Së fundi edhe te AfD-ja, e cila gjithnjë e më tepër arrin të komunikojë “me njerëzit e varfër”. Socialdemokratët po përpiqen të mbledhin pikë me temat moderne siç janë mbrojtja e mjedisit dhe barazi gjinore. Por të Gjelbrit janë në gjendje ta bëjnë këtë më mirë. Spektri ka ardhur gjithnjë duke u ngushtuar: CDU-ja është shtrirë në mesin e shoqërisë, Partia e Majtë po shtyn nga e majta.

Partitë motra në paqe: Ndryshe nga një vit më parë, të dyja partitë unioniste CDU dhe CSU po kalojnë shumë mirë. Kjo stabilizon koalicionin qeveritar – të dyja duan të qëndrojnë në koalicion.

Kur mund të kërcasë? Ekzistojnë disa momente të shkëputjes. Një kongres i SPD mund të vendoste fundin e koalicionit. Sipas radhës takimi i ardhshëm është caktuar në dhjetor, por ai mund të zhvendoset përpara, në shtator. Në diskutim është gjithashtu një vendim i anëtarësisë. Por po të rriten shumë zërat për dalje nga koalicioni, vendimi mund të merret më herët.

Zgjedhje të reja? Kushtetutës gjermane i pëlqen stabiliteti, zgjedhjet e reja nuk është kaq e thjeshtë të mbahen. Parlamenti nuk mund ta shpërbëjë veten. Kancelarja Angela Merkel duhet të kërkojë votën e besimit – dhe ta humbasë.

Presidenti Federal është ai që vendos: Zgjedhje të reja mund të shpallë vetëm Presidenti Federal, aktualisht Frank-Walter Steinmeier. Kjo duhet të ndodhë jo më vonë se tri javë pas humbjes së një votëbesimi. Zgjedhjet e reja do të zhvilloheshin në atë rast brenda 60 ditëve.

Fitues dhe humbës? Partitë tradicionale popullore CDU, CSU dhe SPD janë në një nivel historik të ulët përsa u përket sondazheve. Po të mbahen zgjedhje të reja, ato do të humbasin mandatet në Bundestag. Fituesit e mëdhenj do të ishin të Gjelbrit. Por edhe skajet politike – E Majta dhe AfD – me siguri do të fitonin më shumë vota.

Një qeveri pa CDU/CSU? Për një ndryshim të plotë të pushtetit në drejtim të SPD, të Gjelbërve dhe Së Majtës aktualisht nuk ka mbështetje. CDU/CSU ndoshta do të mbeten në pushtet.

Koalicion i ri? Përsa i përket shifrave, i mundur do të ishte – pa zgjedhje të reja- një e ashtuquajtur aleancë e Xhamajkës, e përbërë nga CDU/CSU, FDP dhe të Gjelbrit. Pas zgjedhjeve të vitit 2017 ky ishte gjithsesi koalicioni i preferuar i Merkelit.  Në atë kohë FDP u shkëput. Tani hezitojnë – për momentin? – Të Gjelbrit. Sepse ata shpresojnë për zgjedhje të reja, ku të marrin më shumë mandate dhe të kenë kështu një bazë më të fuqishme për negociata për një koalicion të ri. Askush nuk dëshiron të hyjë në koalicion me AfD. Merkeli mund të vazhdojë të udhëheqë koalicionin e ri ose të heqë dorë nga posti i saj i kancelares.

Një qeveri e pakicës? Po të largohet SPD nga koalicioni dhe të dështojë “Xhamajka”, e mundur do të ishte edhe një qeveri pa mbështetjen e shumicës. Në një “qeveri të pakicës”, është e nevojshme që për ligjet të kërkosh ndryshojnë shumicën. Në nivel federal, kjo të ishte premierë.

Çfarë do të bëhet me Merkelin? Angela Merkel dëshiron të vazhdojë deri në zgjedhjet e ardhshme federale në vitin 2021. Por ajo tashmë ka një “princeshë trashëgimtare”: kryetaren e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer. “AKK”, siç e thërrasin, mund ta marrë postin edhe më herët, të drejtojë një koalicion të ri qeverisës ose një qeveri të pakicës. Megjithatë, kohët e fundit ka pasur zëra, sipas të cilave Merkeli nuk dëshiron të imponojë një ndryshim të pushtetit.

E ardhmja e SPD-së? Një ngushëllim i dobët për partinë më të vjetër të Gjermanisë: edhe në vende të tjera, partitë socialdemokrate janë në krizë. Të rinjtë e partisë bëjnë presion për një kurs të fortë të majtë.

Çdo gjë si deri tani? SPD-ja mund të qëndrojë në qeveri. Por po të humbasë thellë në shtator edhe zgjedhjet në landet e Brandenburgut, Saksonisë dhe Tyringisë, do të rritet presioni për ta braktisur aleancën me unionistët.

 

Fraksion.com