Gjykata lë në burg dy protestues. Noka: Do i japim Ramës, një leksion të madh
Gjykata e Tiranës dha sot masën e sigurisë për 42 protestuesit e opozitës të arrestuar, pas protestës së 2 qershorit.
Dy prej tyre janë lënë në arrest në burg, tre në arrest shtëpie dhe 37 të tjerët në detyrim paraqitjeje.
Duke folur nga gjykata ish-deputeti demokrat Flamur Noka tha se protestuesit, vazhdojnë të jenë në përballje me klikën në pushtet.
“Janë mbi 40 qytetarë të burgosur, që ende nuk janë marrë në pyetje dhe as merret ndonjë hetim për ta, vetëm se protestuan për zgjedhje demokratike. Ndërkohë ju jeni dëshmitarë të skandaleve ku janë përfshirë tre deputetë deri tek kryeministri, në fashikuj që prokuroria politike nuk i zbërthen, por i zbërthejnë mediat ndërkombëtare. Por, bisha e plagosur është duke dhënë shpirt dhe 8 qershori do të jetë një leksion i madh”, u shpreh Noka.
Ndalimi i protestuesve u bë pasi gjatë protestës pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarrë, tymuese dhe kapsolla me fuqi të lartë shpërthimi punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim para Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit të Shqipërisë.
Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta, kapsollave e fishekzjarrëve kanë mbetur të plagosur 10 punonjës të policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës.
Si pasojë e përdorimit të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera u shkaktuan dëme të konsiderueshme në godinën e Kryeministrisë dhe selinë e Parlamentit.
Protestuesit akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.
Fraksion.com