AktualitetPolitikëTë fundit

Basha në Berlin: Objektiv, thithja e investimeve gjermane

“Dialogu i nivelit të lartë që po zhvillon punimet ne Berlin organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Gjerman ishte një mundësi e rrallë për të bashkëbiseduar me një nga personalitetet më autoritative për industrinë dhe biznesin gjerman, Presidentin e Këshillit Ekonomik Gjerman, Prof. Dr. Kurt J. Lauk dhe me drejtuesit më të lartë të kompanive dhe bankave të rëndesishme gjermane si Siemens, ING, BMW dhe korporata të tjera”, tha kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili po viziton Berlinin.

“Pata mundësinë të njoh sipërmarrës dhe liderë të ekonomisë dhe financave të Gjermanisë me planin ekonomik të Partisë Demokratike hartuar me ndihmën e ekspertëve të CDU-së, në veçanti me masat për përmirësimin e klimës për investime të huaja, funksionimin e shtetit ligjor, sigurinë juridike, taksën e sheshtë dhe luftën kundër korrupsionit”, bën të ditur Basha.

“Thithja e investimeve gjermane dhe bashkëpunimi për trajnimin e të rinjve për t’i përgatitur për tregun e punës në Shqipëri, Gjermani a vende të tjera të Bashkimit Europian janë objektivi ynë prioritar. Sot biznesi shqiptar dhe investitorët e huaj kanë nevojë për shtet ligjor, sisteme funksionale, konkurrencë të ndershme dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit. Unë dhe Partia Demokratike nuk do të ndalemi derisa t’i bëjmë realitet këto”, është shprehur Basha gjatë diskutimeve në Berlin.

“Arsimi, shëndetësia, bujqësia, turizmi dhe teknologjia e informacionit janë ndër prioritetet kryesore të cilat kërkojnë vizion dhe mbështetje financiare për ti nxjerrë nga gjendja e mjeruar ku ndodhen sot. Ne do të bëjmë gjithçka në këtë drejtim, duke bashkëpunuar dhe u mbështetur tek përvoja shumë e suksesshme e Gjermanisë. Në veçanti u ndala dhe tek projektet infrastrukturore, rrugore dhe portuale të parashikuara në planin tonë dhe që synojnë shkurtimin e distancave dhe rritje të shkëmbimeve tregtare mes vendeve të rajonit dhe me ato të Bashkimit Europian”, është shprehur Basha.

“Ne do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të rifitojë kohën e humbur e të kthehet në qendër të investimeve rajonale të kompanive prestigjioze gjermane dhe jo vetëm, çka do të sjellë punësim dhe zhvillim ekonomik për qytetarët tanë”, mësohet të ketë garantuar Basha gjatë bisedës së tij në Berlin.

Po ashtu gjatë vizitës së tij në Berlin, Basha ka theksuar se “PD do të zbatojë gjithë masat e duhura për zhvillimin e biznesit në Shqipëri.

“I nderuar të merrja pjesë në Ditën e Biznesit 2019 me sloganin“Fillim i ri për Gjermaninë dhe Europën” organizuar nga Këshilli Ekonomik Gjerman me pjesëmarrjen e 4000
sipërmarrësve, ministra të kabinetit Merkel, kryetaren e CDU- Annegret
Kramp-Krrenbauer dhe kandidatin e Partisë Popullore Europiane për President të Komisionit Europian Manfred Weber”, njofton Basha.

“Gjëja më e rëndësishme për kryetaren e CDU, Annegret Kramp Karrenbauer është që kompanitë në Gjermani të mbeten konkurruese: mungesa e punëtorëve të kualifikuar, kostot e energjisë dhe siguria e furnizimit, stimuj për investime, kërkime dhe infrastrukturë janë paketat e masave të propozuara në këtë funksion”, sqaroi Basha.

“Zgjidhje në vend të krizave, guxim në vend të frikës është moto e Manfred Weber, Kandidati përpPresident i Komisionit Europian i cili theksoi se qëndron për një politikë të bazuar në investime, mundësi dhe konkurrencë” theksoi Basha.

“Një mundësi unike për të parë nga afër mekanizmat se si një qeveri e përgjegjshme bashkëpunon me sipërmarrjen, dialogun me të dhe planifikon masa lehtësuese në funksion të zhvillimit ekonomik dhe punësimit”, bënë të ditur Basha.

“Biznesi është gjeneratori i zhvillimit dhe punësimit ndaj PD është e vendosur të zbatojë masat e nevojshme për të lehtësuar klimën e biznesit dhe për të garantuar një mjedis tërheqës për investimet e huaja siç kemi parashikuar në planin tonë ekonomik. Gjithçka në funksion të punësimit dhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Shqipëria si Europa”, përfundoi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitës që po zhvillon në Gjermani takoi edhe presidenten e sapozgjedhur të Këshillit Ekonomik të Gjermanisë, ku theksoi nevojën për ngritjen e grupeve të përbashkëta pune për ta bërë Shqipërinë vend tërheqës për investimet e huaja.

“Pata nderin dhe kënaqësinë të takoj dhe uroj për zgjedhjen si Presidente e Këshillit Ekonomik gjerman, Astrid Hamker dhe zëvendës Presidentin Friedrich Merz, njëkohësisht CEO i BlacRock Inc, Fondit më të madh të investimeve në botë”, u shpreh Basha.

“Gjatë takimit me drejtuesit e lartë të Këshillit Ekonomik gjerman, pata mundësinë të diskutojmë për zgjerimin e bashkëpunimit. Gjeta mbështetje të plotë për të na asistuar me ekspertë dhe eksperiencën e tyre gjatë detajimit të programit tonë ekonomik dhe nesër në qeverisje për të nxitur investitorët gjermanë të shqyrtojnë Shqipërinë si destinacion të investimeve të tyre”, tha Basha.

Ne, vijoi Basha, “do të ngremë grupe të përbashkëta pune me qëllim bërjen realitet të objektivit tonë për ta bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investimet gjermane në veçanti dhe të huaja në përgjithësi, për të rritur punësimin me paga dinjitoze dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.

 

Fraksion.com