Erdogan: Turqia i përmbahet blerjes së raketave ruse
Tensionet midis SHBA dhe Turqisë nuk po ulen. Presidenti Erdogan e shpërfill Uashingtonin, sepse – pavarësisht anëtarësisë në NATO – nuk do ta anulojë kontratën e armatimit me Rusinë.
Furnizimet e para me S-400 për Turqinë pritet të mbërrijnë në korrik. Uashingtoni ka frikë se Rusia, me anë të sistemit mbrojtës të instaluar në Turqi, mund të mbledhë të dhëna për kapacitetet e avionëve të rinj të maskuar F-35.
Turqia është partnere në ndërtimin e F-35 dhe sipas planit do të marrë disa avionë. SHBA e kërcënon Turqinë me sanksione, po të realizohet biznesi me Rusinë.
Sistemet S-400 besohet se janë në gjendje të shkatërrojnë në ajër avionë luftarakë dhe raketa. Katër divizionet e saj Turqia pritet t’i marrë në verë, me një çmim të përgjithshëm prej 2.5 miliardë dollarësh (2.23 miliardë euro). Një divizion ka dymbëdhjetë platforma startimi me katër raketa secila.
Kohët e fundit ka pasur tensione në rritje midis dy vendeve anëtare të NATO-s. Në vitin 2018, sanksionet amerikane shkaktuan një rënie dramatike të monedhës turke Lira. Uashingtoni i vendosi ato atëherë për shkak të rastit të një kleriku amerikan të arrestuar në Turqi. Edhe në konfliktin e Sirisë, Trumpi dhe Erdogani kanë qëndrime të kundërta.
Fraksion.com