Trumpi nuk duhet të përzihet në çështjet e brendshme të Britanisë së Madhe
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili të hënën qëndron në Britaninë e Madhe do të preferonte që Boris Johnson të bëhet kryeministri i këtij vendi. Kjo ka shkaktuar protesta të shefit të laburistëve, Jeremy Corbyn.
Presidenti Trump ka deklauar për gazetën bulevardeske “Sun”, para vizitës së tij në Britani të Madhe në fillim të javës që vjen, se do të gëzohej sikur Boris Johnson të bëhej kryeministër, në vend të Theresa May. “Unë i njoh shumë aktorë, por mendoj se Borisi bën një punë shumë të mirë. Besoj se ai do të ishte i mrekullueshëm.”
Me votën e tij të qartë për mbështetësin kryesor të Brexitit, Trumpi sërish ka shkaktuar reagime shumë të ashpra politike. Në vendet demokratike respektohet një ligj i pashkruar që të mos përzihesh në zgjedhjet e vendeve të tjera.
Trump mbështet “No-Deal”-Brexit
Edhe tek çështja e Brexitit Trumpi ka shprehur mendimin e qartë. Për “Sunday Times” ai tha se ai si president i SHBA do të mbështeste një Brexit pa marrëveshje me BE. “Nëse britanikët nuk marrin atë që duan, atëherë duhet të dalin” dhe atë pa marrëveshje, u përgjigj ai në pyetjen se çfarë do t’i sugjeronte pasardhësit të May. Trump pohon se Britania e Madhe nuk duhet të paguajë as borxhet ndaj BE, në vlerë prej 39 miliardë paund. “Po të isha në vendin e tyre, unë nuk do të paguaja 50 miliardë dollarë.”
Theresa May ka paralajmëruar dorëheqjen, pas dështimeve në përpjekjet e saj për Brexit. Në sondazhe thuhet se Boris Johnson ka më së shumti shanse për të marrë postin e kryetarit të partisë Tories, por për këtë post kanë kandiduar dhjetëra persona të tjerë. Por mund të ndodhë që ish-ministri i Jashtëm të nxirret javën që vjen para gjykatës, për shkak të gënjeshtrave. Thuhet se ai në prag të referendumit të vitit 2016 dhe zgjedhjeve të vitit 2017 ka mashtruar britanikët me numra të gabuar. Duket se këtu nuk do ta ndihmojë as mbështetja e qartë e Trumpit.
Sondazhet parashikojnë rënien e Tories dhe laburistëve
Në sondazhet e fundit të gazetës “The Times” thuhet se konservatorët Tories, së bashku me Johnsonin, si dhe laburistët kanë shënuar rënie dramatike. Pas turbulencave të mëdha për Brexitin, Tories kanë rënë në nivelin rekord me vetëm 19 %, që do të thotë se sikur tani të mbaheshin zgjedhjet, kjo parti do të zënte vendin e tretë në Britani të Madhe, që është rezultati më i dobët prej themelimit të saj para 200 vitesh. Partia Laburiste do të fitonte po ashtu vetëm 19 % të votave, që është vlera më e ulët prej vitit 1918.
Në sondazhe thuhet se fitues të zgjedhjeve do të ishin liberalët, të cilët kërkojnë një referendum tjetër për Brexit. Në sondazhe thuhet se ata aktualisht gëzojnë mbështetjen e 24% të zgjedhësve. Në vendin e dytë është partia për Brexit e Nigel Farage me 22% të votave, ndonëse kjo parti është themeluar para vetëm disa muajsh. Kjo parti kërkon një ndarje të qartë me Bashkimin Evropian./DW
Fraksion.com