Temperaturat në Indi kalojnë 50 gradë Celsius
India është përfshirë nga një valë e nxehtësisë, me temperatura që kanë kaluar 45 gradë Celsius në shumë pjesë të vendit.
Çuru, në shtetin verior Rajasthan, është qyteti më i nxehtë. Temperaturat atje kanë arritur të dielën në 50.8 gradë Celsius, tha Departamenti Meteorologjik i këtij vendi.
Rajasthan dhe shteti qendror Madia Pradesh janë në gjendje alarmi për shkak të të nxehtit.
Të dyja shtetet shpesh vendosin rekorde të temperaturave të larta gjatë verës.
BBC raporton se së paku shtatë qytete të Indisë kanë qenë të hënën në listën e 15 vendeve më të nxehta në botë në ueb-faqen e motit El Dorado.
Tetë vendet e tjera janë në Pakistan, ku qyteti Xhakobabad, me 51 gradë Celsius, është quajtur vendi më i nxehtë në Tokë.
Departamenti Meteorologjik i Indisë ka thënë se vala e nxehtësisë ka gjasa të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera, pasi shirat monsun janë vonuar.
Fraksion.com