Stoltenberg: Rajoni përfiton nga anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO
Kjo vizitë njëherësh shënon edhe mbledhjen e parë të Këshillit Veri-Atlantik me Komitetin për integrim të Maqedonisë së Veriut, që kur vendi ka nënshkruar protokollin për anëtarësim në Aleancë.
Kreu i NATO-s ka thënë se Aleanca është e gatshme t’i urojë mirëseardhjen Maqedonisë së Veriut, por e ka rikujtuar edhe me nevojën e përmbushjes së reformave të nevojshme
“Jemi të gatshëm t’ju urojmë mirëseardhjen në familjen e NATO-s. Me kryeministrin grek (Alexis) Tsipras treguat guxim dhe përkushtim në zgjidhjen e kontestit dhe tani ju krijoni të ardhme më të mirë për vendin. Por, 29 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan protokollin për anëtarësim jo vetëm për shkak të Marrëveshjes së Prespës, por edhe për reformat që keni realizuar si shtet….Zëri juaj do të jetë i rëndësishëm për vendimet dhe që të kujdeseni për sigurinë e vendit tuaj”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me lajmet e rreme, në kontekst të mbledhjes së mëparshme të NATO-s kushtuar luftës hibride, kreu i NATO-s tha se për luftën kundër një propagande të tillë janë të nevojshme debatet e hapura, mediat e lira dhe gazetarët që përhapin të vërtetën.
“Kemi parë te disa aleatë të NATO-s se shfrytëzimi i mediave sociale dhe propaganda përdoren si mjete për rrënimin e institucioneve demokratike dhe përzierje në proceset demokratike. Kjo është e papranueshme dhe kësaj ne duhet t’i përgjigjemi para e gjithash me mbrojtjen e rrjeteve tona të internetit… përgjigja më e mirë është që të përhapim të vërtetën. Kemi fakte, na duhen debate të hapura dhe për ketë kemi nevojë për media të lira, gazetarë që do të vërtetojnë burimet e informacionit”, është shprehur Stoltenberg.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ndërkohë ka theksuar përkushtimin e Qeverisë për të zbatuar të gjitha detyrimet që dalin nga procesi i anëtarësimit të vendit në NATO, duke përmendur në këtë rast zgjidhjen e kontesteve me shteteve fqinje.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut arriti të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dypalëshe dhe të bëjë përparim konkret demokratik në shoqëri. Vendin e kthyem në rrugën e vërtetë, në veçanti sa i përket sundimit të ligjit dhe në ndërtimin e institucioneve forta dhe funksionale. Kemi bërë hapa konkret në reformimin e agjencive të zbulimit dhe të shërbimeve të sigurisë”, ka deklaruar kryeministri Zaev, duke theksuar edhe njëherë besimin se të gjitha parlamentet e shteteve anëtare të NATO-s do të ratifikojnë protokollin e anëtarësimit.
Nga 29 shtete anëtare të Aleancës deri më tani protokollin për anëtarësimin e kanë nënshkruar 13 shtete. Nga Qeveria kanë thënë se presin që ky dokument të nënshkruhet brenda një viti nga të gjitha shtetet, që përfundimisht Maqedonia e Veriut të bëhet anëtarja e 30-të e Aleancës.
Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO për shumë vite ishte bllokuar nga Greqia për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit.
Fraksion.com