AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump dhe Zonja e Parë fillojnë një vizitë në Britaninë e Madhe

Presidenti i SHBA Donald Trump ka filluar një vizitë dy-ditore në Britani, gjatë së cilës ai do të takohet me familjen mbretërore, do të jetë i ftuar në një darkë shtetërore dhe do të zhvillojë bisedime me kryeministren në largim Theresa May.

Avioni presidencial Air Force One u ul në Aeroportin e Stansted, në Essex jashtë Londrës të hënën herët dhe më pas Presidenti Trump së bashku me Zonjën e Parë Melania që po e shoqëron në vizitën e tij në Britani shkuan në Londër me helikopterin Marine One.

Ekipi i presidentit mbërriti në Winfield House, rezidenca e Ambasadorit të SHBA, ku do të qëndrojë gjatë vizitës së tij.

Vizita e Presidentit Trump vjen ndërsa Britania ndodhet në mesin të trazirave politike.

Kryeministrja May muajin e kaluar njoftoi se do të japë dorëheqjen pas dështimit me procesin e BREXIT-it. Ky proces do të vazhdohet nga pasardhësi i saj, pa ndonjë rrugë të qartë për zgjidhje në kushtet kur ekzistojnë përçarje mes partive politike për këtë çështje.

Presidenti Trump ka mbështetur publikisht ish-Ministrin e Jashtëm Boris Xhonson dhe u tha gazetarëve të dielën, para nisjes për në Britani se se do të takohet me politikanin Johnson dhe politikanin tjetër britanik pro-Brexit-it, Nigel Farage, gjatë takimit të tij në Londër.

Gjatë turneut europian, Presidenti Trump dhe Zonja e Parë do të marrin pjesë gjithashtu në ceremonitë përkujtimore të D-Day në Britani dhe Francë. Ata do të marrin pjesë në një aktivitet për të përkujtuar 75 vjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë një vizitë në Portsmouth, një vend ku nisi ofensiva që çoi në çlirimin e Evropës, si dhe do të kenë një ndalesë në Irlandë.

 

Fraksion.com