AktualitetEkonomiTë fundit

Mblidhet shtabi i emergjencës në Korçë; 100 lëkundje tërmeti brenda 3 ditësh

Plot 100 lëkundje sizmike janë regjistruar në qarkun e Korçës nga Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.

Tre fshatra janë prekur nga tërmeti me magnitudë M=5.3 Rihter i datës 01.06.2019 ndërsa më 2 qershor lëkundja më e fortë ka qenë në orën 15:34:53, me koordinata 40.450 në Veri dhe 20.780 në Lindje, magnitudë M=4 Rihter, dhe me epiqendër 18 km në jug të qytetit Korçë.

Ministria e Mbrojtjes informon se janë sistemuar në çadra 230 banorë. Nga verifikimi i bërë në 3 fshatra rezultojnë 184 banesa të dëmtuara, prej të cilave 95 të dëmtuara rëndë, pjesa më e madhe e tyre banesa të pabanueshme prej vitesh.

Në fshatin Floq janë sistemuar 160 banorë në 13 çadra me kapacitet deri në 20 vende.

Në fshatin Vidohovë janë ngritur 4 çadra, sipas nevojave të banorëve. Janë sistemuar 40 persona dhe nga këta 20 persona në kishën e fshatit dhe 20 në të afërmit e tyre.

Në fshatin Qafëzez janë sistemuar 30 persona në 5 çadra të ngritura nga 10 që janë dërguar. Në këto dy fshatra, disa prej banorëve kanë kërkuar që të strehohen pranë të afërmve të tyre.

Nesër Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka do të zhvillojë një mbledhje me Shtabin e Emergjencave në Korçë dhe do të vizitojë familjet në fshatrat e prekur nga tërmeti.

Janë dërguar 240 pako ushqimore, 100 thasë me miell, 100 detergjente. Nga këto 100 pako janë dërguar nga organizata joqeveritare, 100 pako ushqimore nga Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit për të tre fshatrat dhe 40 pako nga Kryqi i Kuq për tre fshatra.

Për furnizimin me ujë të pijshëm në fshatin Floq është vënë në dispozicion 1 bot i Detashmentit të Mbështetjes Rajonale. Në fshatin Floq është ngritur 1 qendër shëndetësore.

 

Fraksion.com