Krisa politike; Kisha Ortodokse: Lutemi që palët politike të gjejnë rrugën e pajtimit
Për kaosin politik që po mbizotëron prej muajsh në vendin tonë ka reaguar edhe Kisha Ortodokse. Në një deklaratë për mediat, Kisha ka shprehur shqetësimin për situatën politike që sipas saj rruga e pajtimit sa vjen e po ngushtohet.
“Duke e ndjekur me kujdes situatën konfliktuale politike që është krijuar në vendin tonë kemi shpresuar se palët, nëpërmjet një përpjekjeje dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, do të gjenin një zgjidhje, të pranueshme për të gjithë. Por, me keqardhje po shikojmë se rruga e pajtimit dhe e mirëkuptimit sapo vjen dhe po ngushtohet, duke rrezikuar kështu ashpërsimin e konfliktit, i cili mund të sjellë pasoja shumë të rënda për të tashmen dhe të ardhmen të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Kishës Ortodokse.
Për të kapërcyer krizën dhe konfliktin politik, Kisha Ortodokse në deklaratë thotë se do luten që Perëndia të inkurajojë drejtuesit e vendit që të gjejnë rrugën e pajtimit.
“Prandaj, me shqetësim të madh dhe përulësi, do të lutemi në të gjitha kishat që Perëndia i paqes dhe i urtësisë të inkurajojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e drejtimit të vendit, që të ndërgjegjësohen për rëndësinë e detyrës, me të cilën janë ngarkuar, të gjejnë rrugën e pajtimit dhe të mirëkuptimit dhe të ofrojnë zgjidhje konkrete për të gjitha problemet, për të mirën e vendit dhe të popullit tonë”, përfundon deklarata.
Partia Socialiste ka çelur fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit, ndërsa opozita vazhdon protestat për largimin e kryeministrit Rama, ku e radhës do të zhvillohet më 8 qershor.
Fraksion.com