Greqi, Tsipras humbet edhe në zgjedhjet lokale
Edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, në të cilat konkurronin kandidatë për gjysmat e periferive të vendit dhe dy të tretat e bashkive, ka shënuar një humbje totale për kreun e qeverisë greke, Alexis Tsipras, ndaj rivalit të tij për pushtet, udhëheqësit të kosnervatorëve, Mitsotakis.
“Në politikë, ashtu si edhe në jetë, ka shumë rëndësi të dish të fitosh, por edhe të dish të humbësh. Më e rëndësishmja, të ringrihesh përsëri në këmbë dhe të luftosh”, tha Alexis Tsipras.
Ndërsa Tsipras pranoi humbjen e kandidatëve të partisë së tij në pushtet, kreu i “Demokracisë së Re” ka deklaruar se rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale paralajmërojnë “hapin e dytë” drejt ndryshimeve të mëdha politike në Greqi.
“Harta e Greqisë është sot në ngjyrën blu, por në këtë rast, bluja nuk është ngjyra e Demokracisë së Re, por ngjyra e atdheut tonë”, tha Kyriakos Mitsotakis.
Orët e fundit është shënuar edhe një krizë politike në radhet e socialistëve grekë të Lëvizjes për Ndryshim (KINAL), me bazë kryesisht PASOK-un, pasi ka ikur ish-lideri i kësaj partie, Evangjelos Venizelos, në një përpjekje për thithjen e përkrahësve të kësaj force që ishin larguar si rezultat i vijës politike të ndjekur nga kjo parti, kryesisht bashkëpunimi me konservatorët në qeveritë e viteve 2012-2014.
Ndërkohë, të hënën që vjen, Alexis Tsipras pritet të shkojë te presidenti i vendit për t’i kërkuar zgjedhje të parakohshme, të cilat thuhet se do të zhvillohen më 7 korrik, në një klimë aspak të favorshme për partinë në pushtet.
Fraksion.com