Forsa: Ekologjistët në Gjermani në vendin e parë
Në sondazhet e fundit të Institutit Forsa thuhet se në Gjermani po ndodh ajo që nuk ka ndodhur kurrë më parë: Ekologjistët për herë të parë janë partia më e fuqishme në Gjermani!
Socialcemokratët kanë rënë në nivelin më të ulët historik, me vetëm 12% të votave (-5) krahasuar me zgjedhjet evropiane, që është rezultati më i dobët në historinë e pasluftës. Socialdemokratët janë tani vetëm një pikë përpara Alternativës për Gjermani (AfD), e cila në këtë moment në zgjedhje do të fitonte 11% të votave (krahasuar me zgjedhjet evropiane -2%). Pasojnë liberalët FDP me 8 %, E majta 7% dhe partitë më të vogla. Sondazhi është zhvilluar menjëherë pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.
Sikur sot të mbaheshin zgjedhjet, ekologjistët do të kishin dy mundësi për krijimin e koalicionit qeveritar – me CDU/CSU si dhe SPD dhe Të majtën (një shumicë e ngushtë). Kancelar do të mund të ishte shefi i ekologjistëve Robert Habeck – gjë që deri para pak kohe dukej tërësisht jo reale.
Në zgjedhjet evropiane, ekologjistët në Gjermani kanë zënë për herë të parë vendin e dytë me 20,5 % të votave. Partitë e Unionit kanë fituar 28,9 %, ndërsa SPD vetëm 15,8%, që do të thotë se SPD për herë të parë ka rënë në nivelin federal pas ekologjistëve. Ndërsa në sondazhet e tanishme, ekologjistët janë madje edhe para unionit CDU/CSU.
Rënia e Andrea Nahles
Partia Socialdemokrate gjendet në krizë të thellë dhe tanimë dihet se kryetarja e partisë Andrea Nahles do të tërhiqet nga kreu i kësaj partie. Ajo ka bërë të ditur se do të largohet prej posteve të saj, për shkak të rezultateve shumë të dobëta në zgjedhje dhe sondazhe. Kjo mund të ketë pasoja shumë serioze edhe për koalicionin në pushtet, sepse është e mundur që kjo parti të tërhiqet nga koalicioni dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ministri i Financave, Olaf Scholz (SPD) thotë se pas zgjedhjeve të ardhshme nuk ka më asnjë lloj mundësie për krijimin e sërishëm të koalicionit të madh. Për gazetën “Tagesspiegel” ai u shpreh: “Tri mandate me të njëjtin koalicion nuk janë të mira për demokracinë në Gjermani. Vazhdimin e koalicionit të tanishëm edhe pas vitit 2021 nuk e do askush – as qyytetarët, as Unioni, e të mos flasim për socialdemokratët.”
Kërkesat për qetësi
Shefi i deputetëve të Unionit në Bundestag, Ralph Brinkhaus, kërkon qetësi. Ai thotë se partitë CDU/CSU duhet të ruajnë qetësinë pavarësisht rënies së vlerave në sondazhe. CDU ka vendosur që të analizojë tani rezultatet e votimit për Parlamentin Evropian. Partia do të përpiqet t’i përmirësojë mangësitë në politikën për klimën dhe komunikimin me opinionin.
Emnid i sheh gjërat ndryshe
Konkurrenti i Institutit Forsa për sondazhe, Emnid e sheh situatën më ndryshe. Në sondazhet e këtij instituti, CDU/CSU edhe më tej është në vendin e parë, para ekologjistëve. Në sondazhin e bërë për gazetën “Bild am Sonntag” thuhet se ekologjistët kanë shtuar për 3% mbështetjen, krahasuar me një javë më parë, por partitë e Unionit ende janë në vendin e parë me 28%. Ndërsa SPD është në vendin e tretë me rreth 16%. Por ky sondazh është kryer para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të thotë se situata tani ka ndryshuar./DW
Fraksion.com