AktualitetNATO/BETë fundit

BE t’i japë fund dilemës: Të ecë më shpejt drejt një integrimi më të thellë, ose të ngadalësojë

Mençuria konvencionale, ndalet në mënyrë korrekte tek rritja e skeptikëve evropianë, të cilët kundërshtuan integrimin gjithnjë e më të madh të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në një komunitet. Këta skeptikë, përfshijnë partitë e krahut të djathtë dhe populistët.

Euroskeptikët fajësohen për Brexit, ndërsa kanë shkaktuar shqetësime se edhe vende të tjera anëtare mund të kërkojnë të largohen nga BE. Ata qëndrojnë pas lëvizjeve të shumta për të rivendosur sovranitetin kombëtar, me akte të tilla si rikthimi i kontrolleve kufitare kombëtare, dhe rebelimi kundër vendimeve dhe diktaturave nga “qeveria” e BE-së, Komisioni Evropian.

Për t’i kundërshtuar këto tendenca, udhëheqësit pro-BE-së, veçanërisht presidenti francez Emanuel Makron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kanë bërë thirrje për më shumë integrim, dhe për t’i dhënë më shumë kompetenca KE.

Mençuria konvencionale i sheh këta udhëheqës si në anën e duhur morale, duke ngritur një bashkësi që ka sjellë për shumë dekada paqen në një kontinent që ka njohur shumë luftëra, dhe që po i kundërviohet nacionalistëve të krahut të djathtë dhe populistëve.

Megjithatë, një forcë e madhe që nxit euro-skeptikët, është se integrimi administrativ dhe ekonomik i BE-së, dhe humbja e sovranitetit kombëtar, e tejkalon shumë atë që janë të gatshëm të tolerojnë shumë evropianë, teksa ata nuk e shohin veten si qytetarë të BE-së, por si qytetarë të kombeve të tyre përkatëse.

Derikur, një besnikëri e tillë të transferohet nga kombet në Bruksel, BE-ja duhet të ngadalësojë integrimin, dhe jo ta shtrijë atë me tej. Bashkimi Evropian, ka lulëzuar për aq kohë sa është përqendruar në hapjen e kufijve të tregtisë, nga të cilat përfitonin të gjithë.

Ajo lulëzoi kur organizoi forma të shumta të koordinimit administrativ midis kombeve, për shkëmbime studentësh dhe studiuesish, dhe kur vendosi standarde minimale që duhej t’i respektonin industritë e ndryshme. Sidoqoftë, kur u fut në përdorim monedha e përbashkët, ajo diktoi buxhetet e vendeve anëtare, i hapi kufijtë për lëvizjen e lirë të njerëzve, dhe nxiti përthithjen e një numri të madh emigrantësh, ajo u përplas me identitetin kombëtar dhe vlerat e veçanta të grupeve të ndryshme të vendeve anëtare.

Për pasojë, BE tani po përpiqet të qëndrojë sot midis dy hapave. Brukseli kërkon një nivel gjithnjë e më të lartë të integrimit ekonomik dhe administrativ. Makron dhe Merkel, dhe partitë europiane që lidhen me to, bëjnë thirrje për krijimin e një bashkimi banker, dhe për një buxhet të integruar që do të formulohet nga BE, rregullat e të cilit do të kërkohen të ndiqen nga të gjitha vendet anëtare.

Një ministër i Financave të BE-së, do të mbikëqyrë buxhetin. Por, njëkohësisht BE-ja po mban një nivel të ulët të integrimit politik, edhe pse duhet një nivel më i lartë, nëse njerëzit janë të gatshëm të bëjnë lloj-lloj sakrificash për njëri-tjetrin, si dhe ndryshime në politikat e tyre kombëtare.

Me fjalë të tjera, aftësia ndërtuese e komunitetit, ka ngelur shumë prapa pas integrimit ekonomik dhe atij administrativ. BE duhet që tani të zgjidhë këtë dilemë: ose të integrohet më shumë politikisht, ose të zvogëlojë integrimin ekonomik dhe atë administrativ.

Zgjedhjet e ardhshme në fund të këtij muaji, do të tregojnë nëse kjo është e saktë. Pra, nëse apeli për një integrim më të madh do të dështojë, dhe do të sjellë përfitime të mëtejshme për euro-skeptikët, apo nëse nga tablloja e zymtë që po shkakton Brexit, forcat pro-BE po rifitojnë terren.

E megjithatë, ka një kurs që mjerisht nuk po nxitet nga asnjë palë: ngadalësimi i integrimit administrativ dhe ekonomik, dhe përqëndrimi në ndërtimin e një bashkësie politike të nevojshme, për masat që duhet të ndërmerret për të pranuar një Komision Evropian dhe qeveri më të fortë të BE-së.

Shënim: Amitai Etzioni, është profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Xhorxh Uashington./National Interest, Bota.al

 

Fraksion.com