AktualitetBota+Të fundit

Andrea Nahles do të largohet nga postet në SPD

Kryetarja e partisë socialdemokrate (SPD), Andrea Nahles ka bërë të ditur se do të largohet nga postet në parti. Ajo do të japë dorëheqje pas rënies dramatike të partisë në zgjedhje.

 Kryetarja e SPD Andrea Nahles do të tërhiqet nga kreu i partisë dhe posti i kryetares së grupit parlamnetar në Bundestag. Në shpjegimin e saj Nahles thotë se “ajo ka marrë drejtimin e SPD në kushte shumë të rënda”. “Ne së bashku kemi vendosur që të futemi në koalicionin qeveritar federal, kemi vendosur të marrim përgjegjësi për vendin tonë. Njëkohëisht po punojmë që të bindim qytetaret dhe qytetarët me projektet tona. Këto janë sfida të mëdha për të gjithë ne”, shkruan Nahles.

Kryetarja e partisë SPD pohon se javën e kaluar sërish është vënë në pikëpyetje mbështetja e saj brenda partisë. Ndaj ka vendosur që gjendja të qartësohet. “Këtë javë kam kuptuar pas debateve të shumta, se për ushtrimin e posteve që kam, nuk ekziston mbështetja e domosdoshme brenda partisë”, pohon Nahles.

Dorëheqjet të hënën dhe të martën

Nahles ka vendosur që të hënën (3.06.2019) t’ia paraqesë krerëve të partisë SPD dorëheqjen e saj nga kreu i partisë. Ndërsa një ditë më vonë, të martën, do të jepë dotrëheqje edhe nga posti i kryetares së grupit parlamentar në Bundestag. “Në këtë mënyrë dua të hap rrugë për emrimin e pasardhësve në këto poste”, pohon Nahles e cila shpreson se SPD do të rikthehet në rrugën e suksesit, sepse “vendi ynë ka nevojë për një SPD të fuqishme!”/DW

 

Fraksion.com