AktualitetBota+Të fundit

Sërish në Britani; Vizita e Presidentit Trump me ftesë të Mbretëreshës Elizabeth e Dytë

Presidenti Donald Trump do të jetë në Britani më 3 qershor për një vizitë shtetërore me ftesën e Mbretëreshës së Anglisë, Elizabeth e Dytë. Ai do të marrë pjesë në aktivitete për nder të 75 vjetorit të Ditës së Zbarkimit të Aleatëve në Normandi. Shtëpia e Bardhë thotë se ky udhëtim do të rikonfirmojë “marrëdhënien e fortë dhe të veçantë” mes dy vendeve. Por siç njofton korrespondentja e Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara vizita nuk do të jetë vetëm madhështore. Ajo do të shoqërohet me protesta.

Më 3 qershor, Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump do të takohen me Mbretëreshën Elizabeth II në një vizitë shtetërore, pasi u takuan me të një vizitë pune të Presidentit Trump në Britani, vitin e kaluar.

Një vizitë shtetërore ka më shumë pompozitet dhe ceremoni dhe vendi mikpritës paguan koston. Ftesa ishte bërë fillimisht që kur zoti Trump mori detyrën, por u shty për disa arsye, përfshirë ato të sigurisë.

“U planifikua dhe u shty disa herë. Ka gjithmonë debate kur bëhet fjalë për një vizitë shtetërore për Donald Trumpin”, thotë Charles Kupchan o Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

75 vjet pasi 150,000 trupa aleate përzunë forcat gjermane nga Franca, zoti Trump do ta shënojë këtë përvjetor në Portsmouth dhe në Normandi të Francës.

Presidenti do të marrë pjesë në një banket shtetëror në Pallatin Buckingham dhe një takim dypalësh me Kryeministren Theresa May, e cila largohet nga detyra, dy ditë pasi largohet zoti Trump, për shkak të dështimit për arritjen e një marrëveshjeje për daljen e Britanisë nga BE-ja.

“Parashikoj që ta vlerësojë lart zonjën May në fjalimet publike dhe t’i urojë më të mirën. Por nuk mendoj se marrëdhënia është shumë e thellë. Nuk mendoj se janë dakord për shumë tema, apo se kanë ndonjë lidhje të fortë”, thotë Jacob Parakilas i organizatës Chatham House.

Ditë para nisjes së tij, zoti Trump tha se mund të takohet me politikanët pro-Brexit, Boris Johnson dhe Nigel Farage, që duan t’i zënë vendin zonjës May.

“Nuk është puna ime të mbështes njërin apo tjetrin. Por kam respekt për të dy këta persona”, tha ai.

Presidenti Trump dhe kryeministrja May gjithsesi mund të diskutojnë çështje të rëndësishme lidhur me marrëdhënien SHBA-Britani, përfshirë negociata për një marrëdhënie tregëtare dhe se si të përballen me Iranin dhe Kinën.

“Veçanërisht çështjen ‘Huawei’ por edhe për investimet kineze më gjerë, ku Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur një qëndrim më të rreptë sesa Britania. Është edhe çështja e përballjes me Iranin për të cilën SHBA nën administratën e presidentit Trump është më e prirur, sesa Britania dhe Franca”, thotë zoti Parakilas.

Vitin e kaluar, mbi 100,000 vetë protestuan në Londër dhe qytete të tjera britanike. Këtë vit, organizatorët thonë se presin që një numër i ngjashëm demonstruesish të protestojë kundër politikave të Presidentit Trump, përfshirë imigracionin dhe ndryshimet e klimës./VOA

 

Fraksion.com