Largohet nga Kosova punonjësi i lënduar i OKB
Punonjësi i lënduar i OKB dërgohet në një vend të specializuar për tu trajtuar. OKB bën thirrje të ruhet dinjiteti i gjithsecilit për të jetuar në siguri dhe paqe në Kosovë.
I pyetur nga gazetarët në konferencën e përditshme të shtypit në selinë e OKB, në Nju Jork, Haq sqaroi se detajet lidhur me incidentin janë ende nën hetim. “Në këtë fazë, bazuar në të dhënat e një vlerësimit të plotë bërë nga ekspertë të mjekësisë në spitalin e Mitrovicës Veriore dhe ekipi mjekësor i UNMIK-ut, është e domosdoshme që punonjësi ndërkombëtar i stafit të OKB të dërgohet në një vend ku mund të ofrohet trajtim special për lëndimet që ka marrë”. Bëhet fjalë për punonjësin e OKB me nacionalitet rus.
Haq përsëriti kërkesën e të dërguarit special, Zahir Tanin, që Kosova të respektojë imunitetin e të gjithë stafit të OKB dhe i bëri thirrje të gjitha palëve të respektojnë ligjin dhe dinjitetin e të gjithëve për të jetuar të lirë dhe në siguri e paqe.
Anëtarët e stafit të UN, u lënduan gjatë një aksioni të policisë së Kosovës për arrestimin në veri të vendit, të disa personave që dyshohen për kontrabandë dhe krime të tjera.
Misioni i OKB në Kosovë ka filluar punën në vitin 1999 me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit për të administruar Kosovën që banorët e saj të gëzojnë autonomi. Me marrjen e pavarësisë së Kosovës, detyra e misionit ndryshoi në ruajtjen e paqes dhe sigurisë dhe të drejtave të njeriut. Aktualisht misioni ka në Kosovë një ekip të përbërë nga 351 vetë, pjesa më e madhe civilë. Mes 10 policëve pjesëmarrës në mision, tre janë nga Federata Ruse.
Fraksion.com