AktualitetKosovaTë fundit

Brukseli e dënon gjuhën raciste të Kryeministres serbe

Deklaratat raciste ndaj shqiptarëve i kushtuan shtrenjtë kryeministres serbe Ana Bërnabiq. Për shkak të kësaj gjuhe në MPJ-në e Kosovës po thonë se këmba e saj nuk do të shkel më kurrë në Kosovë. Gazeta Express ka kontaktuar Zyrën e Përfaqësues së Lartë të BE-së e cila e ka dënuar deklaratën e shefes së Qeverisë së Serbisë se shqiptarët janë “njerëz të malit”

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, nxiti reagime të shumta kur tha se shqiptarët “janë njerëz të dalë nga mali” duke aluduar në liderët që isin pjesë e UCK’së.  Këtë e tha në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio. Liderët kosovarë, përfshirë presidentin Thaçi kërkuan që BE të dënojë gjuhën raciste të kryeministres serbe.

Gazeta Express përmes e- mail’it ka komunikuar me Maja Kocijancic Zëdhënëse e Shefes së Diplomacisë së BE’së.  E pyetur rreth qëndrimit të BE’së ndaj deklaratës së Bërnabiq për shqiptarët, ajo thotë se çdo retorikë fyese është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese ndërmjet dy shteteve.

“Çdo retorikë që është fyese, konfrontuese dhe përçarëse bie në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese, për të cilën rajoni ka nevojë për të ecur përpara”, thotë Maja Kocijancic për Gazetën Express.

Kocijancic thekson se dialogu Kosovë-Serbi ka filluar para tetë vjetëve dhe duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.

“Siç theksoi Përfaqësuesja e Lartë dje, ngjarjet e ditëve të kaluara tregojnë qartë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, i cili ka filluar para më shumë se tetë vjetësh, duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do të jetë frytdhënëse, e qëndrueshme dhe afatgjate. Status-kuoja thjesht nuk është opsion”, thuhet në përgjigjjen e Kocijancic.

Maja Kocijancic

Për deklaratën e Brnabic presidenti Hashim Thaçi ka thënë se kjo gjuhë është një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës.

“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme. Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ndjehet i zhgënjyer me mosreagimin e BE-së.

Ndërsa, kosovarët kanë nxjerrë fotografi nëpër rrjete sociale nga malet. Kundër kryeministres serbe po bëhet fushatë në Twitter me hashtagun “Njerëzit nga mali” dhe “Fjalë për fjalë të shfaqur nga mali” (peoplefromthewoods dhe literallyjustemergedfromthewoods).

Kësaj fushate i është bashkuar edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili ka thënë gjermanët janë adhurues të maleve. Duke vulosur edhe njëherë mbështetjen që Kosova e ka nga superfuqia e madhe botërore -Gjermania.

Kësaj fushate i janë bashkuar edhe figura të tjera publike nga fusha të ndryshme. Madje nëpër rrjete po shpërndahen edhe fotografi të vajzave dhe djemve shqiptarë që janë të njohur ndërkombëtarisht si: Shën Treza, Majlinda Kelmendi, Rita Ora, Dua Lipa, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri…etj.

 

Fraksion.com