AktualitetEkonomiTë fundit

Shqiptarët “refuzojnë” lekun; Pesha e depozitave në euro arrin në 54% në prill

Depozitat në sistemin bankar kanë shënuar rënie në prill për të dytin muaj radhazi, pas performancës pozitive që shfaqën në fillim të vitit. Ndërkohë euro mbetet monedha e preferuar e kursimtarëve, duke përbërë më shumë se gjysmën e totalit (54%).

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit prill arriti në 998.6 miliardë lekë, duke zbritur sërish poshtë nivelit të 1 triliard lekëve, ku kishte arritur që nga janari.

Në raport me muajin e mëparshëm depozitat u tkurrën me 0.5%, ose rreth 4.6 miliardë lekë më pak. Në rënie ishin si kursimet në lekë ashtu dhe ato në valutë.

Në lekë vijoi ulja e kursimeve me afat të individëve, një tendencë që po vazhdon të paktën prej 6 vitesh, që kur banka e Shqipërisë filloi politikën lehtësuese monetare, duke ulur normat e interesit bazë, çka u transmetua me rënien e kthimeve nga kursimeve në banka, që sot është më pak se 1% për depozitat 12 mujore. Depozitat me afat të individëve në lekë ranë me 0.6% në raport me muajin e mëparshëm, duke zbritur në 232.8 miliardë lekë, ose 23% të totalit, nga 41% që ishte pasha e tyre në janar 2012, kur sapo kishte filluar politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë.

Në rënie në prill ishin dhe kursimet e individëve në euro, që u tkurrën me ritme më të larta prej 2% në raport me muajin e mëparshëm, duke zbritur në 224 miliardë lekë. Gjithsesi, rënia e kursimeve në euro të individëve u kompensua nga shtimi i depozitave në valutë të bizneseve, që u rritën me gati 5%.

Me bazë vjetore, (prill 2019/prill 2018), depozitat në total janë rritur me 2%, të udhëhequra nga kursimet në euro, që u zgjeruan me 4%, ndërsa ato në lekë mbetën pothuajse të pandryshuara. (rritja në euro ishte dhe më e lartë duke pasur parasysh nënçmimin e monedhës së përbashkët në raport me një vit më parë).

Si rrjedhojë, pesha e depozitave në euro ishte 54% e totalit, nga 52.7% që ishte një vit më parë. Duke pasur parasysh efektin e zhvlerësimit të euros, pesha është edhe më e lartë.

Një vit më parë, Banka e Shqipërisë nisi një strategji për të ulur përdorimin e monedhës së përbashkët në ekonomi, por euro mbetet sërish e preferuara e shqiptarëve./Monitor

 

Fraksion.com