Rama: Kemi gatishmërinë të dialog por asnjëherë nuk negociojmë legjitimitetin
Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se Shqipëria mori dje provimin e Komisionit Europian, pas një pune të madhe në të gjitha drejtimet.
Ai tha se konkluzioni është i njëjtë me një vit më parë, por raporti nuk është i njëjti dhe se në faqet e tij konstatohet se nga viti i shkuar deri më sot, Shqipëria ka bërë progres në rrugën drejt BE.
“Nga ana tjetër është një pasqyrë ku pa vështirësi mund të shihen të gjitha shtrembërimit e opozitës rrugore, për të krijuar në sytë e opinionit dhe miqve apo partnerëve që kanë vullnet të dëgjojnë kolegët e ikur në drejtim të paditur, pamjen e një Shqipërie tjetër. Ne nuk pretendojmë se Shqipëria i ka tejkaluar të gjitha problemet e ka arritur objektivin fundor. Objektivi lidhet me qëllimin e madh të anëtarësimit në BE dhe me ballafaqimin mes realitetit dhe momentit për anëtarësim. Sot flasim për një fazë të ndërmjetme që duhet çelur me zyrtarizimin e negociatave për të përparuar në të gjitha drejtimet që ka rruga e transformimit të Shqipërisë në një shtet të standardeve të BE”, u shpreh Rama.
Ai tha se raporti i komisionit, që është më i besueshmi i ndërkombëtarëve, në raport me çdo detaj të problematikave të një vendi në rrugën e anëtarësimit në BE hedh poshtë çdo pretendim dhe përpjekje për ta treguar reformën në drejtësi si dështim, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si një dështim dhe në vijimësi në çdo aspekt raporti jep një pasqyrë besnike të arritjeve dhe problemeve.
“Jemi të vetëdijshëm për problemet dhe krenarë për arritjet. Të gjithë ata që i bien fyellit në atë vrimën e vetme për të bërë të njëjtën muzikë duke përsëritur të njëjtat broçkulla, për të krijuar një perceptim të imponuar ndryshe tek shqiptarët, sot, mudn tju thuhet me plot gojën se në atë pasqyrë Shqipëria mund të shohë çfarë ka bërë dhe çfarë do bëjë”, deklaroi kreu i qeverisë.
Po ashtu duke iu drejtuar opozitës tha se zgjedhjet e 30 qershorit, nuk negociohen.
Rama tha se raporti tregon dhe çfarë ajo opozitë duhet të bëjë sot në vend të asaj që po bën.
“Ne mbetemi të vendosur të stimulojmë një proces dialogu me opozitën por pa diskutim nuk kemi asnjë gatishmëri për të negociuar Kushtetutën si ligj themelor që na imponon të gjithëve ta respektojmë në funksion të zgjedhjeve që i përkasin popullit dhe jo partive. Kemi gatishmërinë të dialogojmë por asnjëherë nuk negociojmë legjitimitetin dhe detyrimin për vazhdimësinë e këtij parlamenti”, deklaroi kreu i qeverisë.
Fraksion.com