AktualitetBota+Të fundit

Mbledhësit e plastikave në Norvegji

Një balenë e sëmurë për vdekje, me barkun të mbushur me qese plastike ngeci dy vjet më parë në bregdetin norvegjez. Fati i saj u bë shkak për nxitjen e një lëvizjeje të madhe në mbrojtje të mjedisit.

Çdo fundjavë dhjetra mijëra norvegjezë dalin me thasë për të pastruar nga qeset plastike bregdetin 17700 km të gjatë. Çdo vit rreth 10 milionë qese plastike përfundojnë në detrat e botës. Shpendët dhe kafshët e detit ngordhin të torturuara nga pjesëzat plastike që gëlltisin. Përpjekjet e deritanishme për të mbledhur qeset plastike në det, kanë dështuar. Prej diellit dhe dallgëve qeset plastike shpërbëhen në copëza të vogla, mikroplastikë, dhe përzihen me ushqimin e kafshëve.

Rune Gaasø rrëfen se si nisi e gjitha, pas ngjarjes tragjike në gjirin jo larg Bregenit në Norvegji: Një balenë e rrallë pati humbur rrugën dhe përfundoi këtu. Të gjithë u munduan ta kthenin sërish në det, por nuk arritën. Me sa duket ishte shumë e sëmurë. Në fund u desh të vritej, thotë ai.

Kur studiuesit e Universitetit të Bergenit hapën kadavrën për ta studiuar, bënë një zbulim të trishtueshëm. Stomaku i balenës ishte i mbushur me qese plastike.

Imazhet shokuan norvegjezët, kujton aktivisti për mbrojtjen e mjedisit, Gaasø: Dhjetëra mijëra vetë erdhën këtu në bregdet. Rojet bregdetare kishin 60 mijë thasë në magazinë, thasë që përdoreshin për pastrimin e bregdetit. Ata patën menduar se ato do mjaftonin për 5 vitet e ardhshme. Por thasët mbaruan sa hap e mbyll sytë. Të gjithë morrën thasët dhe filluan të mblidhnin mbetjet plastike.”

Që nga ajo kohë, edhe Gaasø, i cili më parë ka punuar në industrinë e naftës, del në fundjavë me ekipin vullnetar të mbledhësve të mbetjeve plastike, që pastrojnë gjijtë dhe ishujt e pafund në perëndim të Norvegjisë. Mbetjet që përfundojnë në këtë zonë e ka origjinën nga Britania e Madhe ose nga anijet e mëdha.

Disa nga qeset dhe shishet plastike gjenden të shpërbëra në grimca të vogla. Për mbledhësit e mbeturinave është si punë sizifi.

„Sa më shumë që të gërrmosh aq më shumë nxjerr. Shumë zhgënjyese. Por pas kësaj dite, unë me siguri që do të jem më e kujdesshme në përdorimin e plastikës, dhe sidomos do të kem më shumë kujdes kur ta hedh atë”, thotë një nga vullnetaret.

Ndonëse ata e kanë të qartë, që nuk mund ta zhdukin plotësisht plastikën nga përdorimi, synimi është që: „Ne duam të ushtrojmë presion ndaj industriaë dhe politikës, që të kërkojnë alternativa për të zëvendësuar përdorimin e plastikës. Dhe unë vetë personalisht dua që të kem mundësi të vazhdoj të mbledh karavidhe këtu para derës së shtëpisë. Edhe fëmijët e mi duhet ta kenë këtë mundësi më vonë”, thotë aktivisti Gaasø. Rezultatet e punës vullnetare ai i publikon në internet, ku njoftohet për të gjitha segmentet bregdetare të pastruara nga plehërat plastike prej ekipeve në gjithë vendin. Një detyrë vigane në 18 mijë kilometra bregdet. Por politikanët e të gjitha partive norvegjeze, i pëkrahin qytetarët në angazhimin e tyre. Rune Gaasø, nga organizata ambientaliste “Clean Shores” Studimet kanë treguar se shtetit i kthehet mbrapsht dhjetëfishi i vlerës, nëse ndihmon me një kronë ose një euro punën vulletare. Jo vetëm prej punës së bërë, por edhe prej rritjes së ndërgjegjes për ambientin tek popullsia dhe prej forcimit të bashkëpunimit social të shoqërisë.”

Aty ku filloi kjo lëvizje ambientaliste, Rune Gaasø dhe mbrojtësit e tjerë të detit kanë vendosur një pllakë përkujtimore për balenën që dha shprit këtu„Me barkun të mbushur me mbetje plastike ti na solle mesazhin për gjendjen e detit. Faleminderit që na zgjove nga gjumi.”

Një sinjal që duhet të dëgjohet përtej brigjeve të Norvegjisë./DW

 

Fraksion.com