Greqia nuk ka imponuar asnjë kushtëzim për hapjen e negociatave
“Greqia nuk ka imponuar asnjë kushtëzim për hapjen e negociatave me arritjen e marrëveshjes finale”, deklaroi sot Ministri në detyrë për Europën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj në një komunikim publik për progres-raportin e Komisionit Europian, ku rekomandohet hapja pa kushte e negociatave me Shqipërinë.
I pyetur në lidhje me ecurinë e marrëveshjes së detit me Greqinë, Cakaj u shpreh se, “ka qenë politikë e kryeministrit Rama që nga viti 2013 e tutje që politika jonë në rajon duhet të mbështetet në parimin zero probleme me fqinjët. Atëbotë dikush këtë e ka kuptuar sikur indiferencë politike. Ndërkaq më vonë e kemi kuptuar se është kusht për të avancuar tutje në rrugëtimin tonë europian”.
“Zgjidhja e kontesteve bilaterale është parakusht për prosperimin e mëtejshëm në axhendën europiane”, tha Cakaj.
“Për Shqipërinë ndërkaq, marrëveshja finale me Greqinë nuk ka qenë një kusht për hapjen e negociatave. Unë konfirmoj se qeveria aktuale në Greqi, ashtu sikurse vitin e kaluar ka qenë një mbështetëse e axhendës europiane të Shqipërisë. Të paktën në Këshillin e Europës dhe në komunikimet që kemi pasur deri tani dhe në atë që presim në vendimin e qershorit, nëse vendim në qershor do të ketë. Greqia nuk ka imponuar asnjë kushtëzim për hapjen e negociatave me arritjen e marrëveshjes finale”, u shpreh Cakaj.
Sa i përket Maqedonisë së Veriut, Cakaj tha se, “edhe me mbështetjen e Shqipërisë, Maqedonia e Veriut ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe një hap historik në zgjidhjen e kontestit pothuajse tre dekadash me Greqinë. Dhe po ashtu ka bërë një punë të shkëlqyer me nënshkrimin e traktatit për fqinjësinë e mirë me Bullgarinë. Dhe kjo punë meriton vlerësimin e gjithsecilit”
Fraksion.com