AktualitetNATO/BETë fundit

Sot Komisioni Evropian do të prezantojë paketën vjetore të zgjerimit

Komisioni Evropian do të publikojë sot paketën vjetore të zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin evropian.

Bëhet fjalë për dokumentin më të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, ku objektivisht përcaktohet gjendja faktike në çdo vend dhe vlerësohet përparimi, por edhe mangësitë në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimit.

Komisionari evropian për çështjet e zgjerimit, Johannes Hahn më herët për Radion Evropa e Lirë konfirmoi që Komisioni Evropian, përsëri këtë vit, do të dalë me rekomandimin për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Këto dy çështje do të diskutohen më vonë në nivel të ministrive të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, pasi vendimi i fundit për hapjen e negociatave merret nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së përmes një samiti të rregullt.

Raport i këtij viti gjithashtu është i rëndësishëm për Bosnjë e Hercegovinën, e cila këtë herë merr zyrtarisht dokumentin e quajtur Avis, që është mendimi i Komisionit Evropian për gatishmërinë e vendit që të bëhet kandidat për anëtarësim të plotë në BE. Ky është një dokument, i cili do të përcaktojë gjendjen e përgjithshme të vendit dhe gatishmërinë e saj për t’u bërë anëtare potenciale e BE-së.

 

Fraksion.com