AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Prokuroria Themelore në Mitrovicë kërkon heqjen e imunitetit për shtetasin rus

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar heqjen e imunitetit të shtetasit rus njëherësh, punëtorit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i cili të martën, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, është ndaluar për shkak se ka marrë pjesë në barrikada.

Disa orë pas ndalimit, ai është liruar.

Prokurori kryesor në Mitrovicë, Shyqri Syla, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se kërkesa për heqjen e imunitetit, është paraqitur të mërkurën, në mënyrë që të niset procedura penale lidhur me veprën penale “pengim i personit zyrtar në zbatimin e detyrës“ dhe “pjesëmarrje në masë, e cila ka kryer vepër penale të huliganizmit“.

Bazuar në Ligjin për statusin, imunitetin dhe privilegjet e misioneve diplomatike dhe konsullore në Kosovë, si dhe pranisë së forcave ushtarake ndërkombëtare dhe personelit të tyre, personave të tillë mund t’iu hiqet imuniteti vetëm me pajtimin e shprehur me shkrim të drejtuesit të misionit.

Paraprakisht, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që të sqarojë rrethanat e pranisë së shtetasit rus, punëtor i UNMIK-ut, në barrikadën në afërsi të Zubin Potokut, në veri të Kosovës.

Barrikada në rrugë, në formën e drunjve, është vendosur nga banorët lokalë në mënyrë që të pengohet kalimi i Policisë së Kosovës. Në atë kohë, ishte në vazhdim e sipër aksioni policor, i cili ka rezultuar me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve.

 

Fraksion.com