Pasuesi i Junckerit; Betejë franko-gjermane për kreun e KE
Franca dhe Gjermania nuk ranë dakord për kandidaturën që duhet të marrë një nga rolet më kyçe të BE-së, teksa udhëheqësit e bllokut u takuan në Bruksel pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare.
Komentet e tyre u bënë gjatë një takimi informal të së martës në Bruksel, që përbënte një mundësi për udhëheqësit e BE-së për të diskutuar panoramën e re politike dhe kandidatët që duhet të marrin postet më të larta drejtuese.
Zgjedhjet lanë Bashkimin Europian më të fragmentarizuar, ndërsa shanset për arritjen e një konsensusi janë gjithnjë e më të vështira.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk tha se “Brexit” ishte një faktor vendimtar që bëri që një shumicë dërrmuese e qytetarëve europianë votuan partitë proeuropiane.
“Europianët e panë se ç’do të thotë Brexit në praktikë, ndaj dhe nxorën konkluzionet. Brexit ka qenë si një vaksinë kundër propagandës anti-BE dhe lajmeve të rreme”, tha ai.
Kryeministrja britanike, Theresa May mori pjesë në bisedime, por Tusk tha se “Brexit” nuk u diskutua në këtë takim.
Komisioni Europian është trupa që zbaton rregullat e BE-së dhe harton projektligjet e BE-së, ndërsa presidenca e saj mbahet aktualisht nga Jean-Claude Juncker, i cili është në përfundim të mandatit të tij 5-vjeçar. Në vitin 2014, Juncker u zgjodh kreu i Komisionit si kandidat i Partive Popullore Europiane të qendrës së djathtë, pasi EPP/PPE kishte fituar zgjedhjet.
Por, këtë herë, sfida është më e vështirë për kandidatin Weber, edhe ky gjerman, pasi blloku i tij ra nga 217 eurodeputetë në 180 gjithsej në Parlamentin Europian me 751 vende, edhe pse mbeti sërish grupi më i madh. Por nëse nuk zgjidhet Weber, kush meriton të zgjidhet?
Disa kandidatë të tjerë që garojnë për këtë post janë kryenegociatori i BE-së për “Brexit”, Michel Barnier, francez, liberalja daneze Margrethe Vestager, si dhe kandidati i qendrës së majtë, Frans Timmermans, holandez.
Mes posteve të tjera të BE-së që do të zëvendësohen më vonë gjatë këtij viti janë presidenti i Këshillit Europian, largohet polaku Donald Tusk; presidenti i Bankës Qendrore Europiane, largohet italiani Mario Draghi; si dhe përfaqësuesja e lartë e Politikave të jashtme, italiania Federica Mogherini.
Fraksion.com