AktualitetTë fundit

Vetëdorëzohet polici që qëlloi të riun me armë zjarri në Sauk

Disa orë pas ngjarjes ku mbeti i plagosur një 27-vjeçar në Sauk, studenti i Akademisë së Policisë, i dyshuar si autor i ngjarjes, është dorëzuar në ambientet e policisë.

Ndue Ndoj, 25-vjeçari i cili dyshohet se plagosi me armë zjarri Ervis Muratin, është dorëzuar në Komisariatin nr.1 në kryeqytet.

Vetëdorëzimi i Ndue Ndoit u bë disa orë pas ngjarjes. Ndoi është nënkomisar në qytetin e Lezhës dhe ndodhej në Tiranë për të ndjekur një kurs pranë Akademisë së Sigurisë.

Dy personat kanë qenë duke pirtë kafe në lokalin e një hoteli në afërsi të Akademisë, dhe pasi janë ngritur prej andej, kanë pasur një konflikt fizik, ndërsa motivi ende nuk është zbardhur.

Burime nga policia kanë bërë me dije se pranë tyre kanë qenë edhe dy miq të të plagosurit të cilët kanë ndërhyrë, ndërsa autori është larguar nga vendngjarja, për t’u vetëdorëzuar më pas në polici rreth orës 11:25.

I plagosuri i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ende nuk ka pranuar të japë detaje mbi ngjarjen.

 

Fraksion.com