AktualitetTë fundit

Veliaj, te Gjuhët e Huaja: Karta edhe për studentët e universiteteve private

Pas Fakultetit të Ekonomisë, shpërndarja e kartave të studentit ka nisur edhe pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Zv.ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Redi Shtino dhe Dekani i fakultetit, Prof. Dr. Artur Sula, inspektuan procesin e punës për aplikimin dhe printimin e kartave të para, të cilat mundësojnë shërbime falas ose me ulje për studentët.

“Jam shumë i lumtur që sot, pas Fakultetit Ekonomik, po vazhdojmë shpërndarjen në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Deri në fund të ditës do të jemi të pranishëm në 27 fakultete dhe nga nesër në të 30 fakultetet. Studentëve të universiteteve private që na kanë shkruar, dua t’i siguroj se do të jemi të pranishëm edhe aty. Sigurisht, u kemi dhënë prioritet universiteteve publike, duke qenë se bashkia mbahet nga taksapaguesit, ashtu si edhe universiteti publik, ndërkohë që është vetëm çështje kohe sa të nisim shpërndarjen edhe në universitetet private”, tha Veliaj.

Përmes kësaj karte, studentët përfitojnë lehtësira në shërbime të ndryshme publike dhe private: si në sektorin bankar, shëndetësor, art, kulturë, turizëm, transport, telefoni, librari, ushqim dhe veshje. Kryebashkiaku ftoi që kësaj nisme t’i bashkohen edhe kompani të tjera private. “Dua të falënderoj dhe të bëj një thirrje publike për të gjitha kompanitë private që na janë bashkuar. Bankat kryesore na janë bashkuar, kompanitë celulare po ashtu, si edhe shumica e supermarketeve dhe dyqaneve të veshjeve. Një student nuk shpenzon vetëm në art, në kulturë dhe në institucione shtetërore, por edhe në privat. Kush realisht do të ndihmojë studentët, tani e ka shansin, të na kontaktojë dhe të na bashkohet në këtë platformë, e cila u mundëson studentëve kursime në një gamë shumë të gjerë”, nënvizoi Veliaj.

Falë premtimit të mbajtur nga bashkia dhe qeveria përmes Paktit për Universitetin, i gjithë procesi i pajisjes me Kartën e Studentit nuk zgjat më shumë se 3-4 minuta. “Nëse do të ruajmë këtë ritëm, procesi do të mbarojë në korrik. Jam i lumtur që bashkia dhe qeveria kanë mbajtur këtë pikë të marrëveshjes me Paktin me Universitetin, për të lehtësuar sadopak çështjen e financave gjatë periudhës studentore”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku dha një tjetër lajm të mirë për studentët. Sipas tij, krahas rikonstruksionit të konvikteve, po merr jetë edhe projekti për Kampusin Universitar. Ai siguroi se për ndërtimin e kampusit të ri janë marrë parasysh normat e Bashkimit Europian të metrave katrorë për çdo student. “Sapo kemi përfunduar konsultën me të gjithë dekanët për kampusin e ri universitar. Dimë ekzaktësisht sa metra katrorë i nevojiten çdo fakulteti dhe në dallim nga herët e tjera, kësaj here kemi marrë normën e Bashkimit Europian të metrave katrorë që duhen për çdo student, të cilën e kemi shumëzuar me numrin e studentëve për të arritur në volumin që kemi nevojë për kampusin e ri universitar”, u shpreh ai, teksa shtoi se gjatë verës do të fillojnë procedurat e shpronësimeve dhe të pastrimit të territorit nga ndërtimet pa leje që kanë uzurpuar hapësirat.

“Do të jetë një operacion që do ta përfundojmë përpara verës, ku do të fillojmë procedurën e shpronësimeve dhe të pastrimit të territorit. Fillimisht, duhet të marrim mbrapsht çfarë është e jona. Fakultete si Gjuhët e Huaja apo Ekonomiku mjafton të nxjerrësh kokën në dritare dhe kupton që edhe oborri i tyre të brendshëm është zaptuar, ndërtuar pa leje, legalizuar dhe me hipotekë në kohët e kaluara të rrumpallës. Kështu që, duhet të sjellim fillimisht kontroll mbi territorin, para se të vazhdojmë me investimet e tjera”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Redi Shtino siguroi se janë marrë të gjitha masat për shpërndarjen e kartave dhe vlerësoi Bashkinë e Tiranës për kontributin e dhënë në përshpejtimin e këtij procesi. “Aktualisht jemi organizuar në mënyrë të tillë që të mos ketë vështirësi në shpërndarje fizike. Gjithçka po shkon shumë mirë. Parashikimi ishte që karta të realizohej në kohë më të gjatë, por falë bashkisë u realizua shumë më shpejt”, deklaroi Shtino.

Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Artur Sula u shpreh se kjo nismë është mirëpritur nga studentët. Ai vlerësoi se bashkia ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve krah universitetit dhe siguroi se edhe universiteti do të jetë krah Bashkisë. “Studentët e kanë pritur me shumë entuziazëm, gati nuk e besonin që do të mundësohej. Bashkia e Tiranës ka qenë krah universitetit dhe universiteti do të jetë krah bashkisë padiskutim. Ju falënderoj të gjithëve, ju jam shumë mirënjohës”, theksoi Prof. Dr. Artur Sula.

Në çdo fakultet të çdo universiteti janë pozicionuar nga dy operatorë, të cilët ndihmojnë në procesin e emetimit të kartës së studentit, duke nisur nga informacioni i përgjithshëm, plotësimi i të dhënave, e deri te lëshimi i kartës. Karta lëshohet pa pagesë, është e rinovueshme, ka një barcode të caktuar dhe ofron akses në të gjitha institucionet apo subjektet, të cilat në ambientet e tyre kanë të afishuara stikerat me logon “karta e studentit”. Informacionet e nevojshme në lidhje me shërbimet përmes kësaj karte janë të aksesueshme në faqen ëeb dhe në aplikacionin karta e studentit.

 

Fraksion.com