AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Tensionet në Mitrovicë: Beogradi mbledh Këshillin për Siguri; Vuçiç vendos ushtrinë në gatishmëri për luftë

Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili, deri më tash, ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Zahir Musa, tha për Radion Evropa e Lirë se katër zyrtarë policorë janë në trajtim mjekësor.

“Për momnetin tre persona të lënduar janë në emergjencë me plagë sipërfaqësore kurse një i plagosur me armë zjarri është në Kirurgji dhe shumë shpejtë pritet të transferohet në Gjakovë”, tha Musa.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha për Radion Evropa e Lirë se një zyrtar policor është plagosur gjatë operacionit, porse është jashtë rrezikut për jetën.

Të ndaluarit dyshohet se janë të përfshirë në disa vepra penale, përfshirë: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit, tregti e ndaluar e të tjera.

“Përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar që operacioni policor po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas.

“Deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës, “përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, ka hasur edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast është detyruar të përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e pengesave të krijuara dhe pengimit të veprimeve policore në terrennga ana e disa qytetarëve në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor edhe disa qytetarë të përfshirë në këto raste.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se nga aksioni që po zhvillohet nga Policia e Kosovës, të arrestuar janë katër oficerë doganor dhe shtatë qytetarë.

Ndërkaq, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se strukturat paralele “kanë aktivizuar alarmin dhe ka filluar grumbullimi i serbëve që po e kundërshtojnë policinë duke vënë barrikada”.

Siç njofton KMDLNJ, “deri më tani me armë zjarri janë plagosur 3 policë shqiptarë), njëri është plagosur prapa shpine (më rëndë dhe gjendet në Kirurgji), tjetri e ka hundën e thyer (është në ORL), kurse tjetri ka gërvishje për faktin se plumbi e ka goditur në kuletë”.
KMDLNj tha se e ka të njohur identitetin e policëve të plagosur.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në rrjetin social Faceboook, ka thënë që institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ai ka shprehur keqardhjen për plagosjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës në krye të detyrës dhe i ka uruar shërim të shpejtë.

“Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave. Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se operacioni policor në veri ka në shënjestër individë të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe aktivitete të tjera kriminale.

“Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në komunat veriore të Kosovës. Si kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin”, tha Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

Policia e Kosovës po ashtu theksoi se operacioni nuk ka të bëjë me rastin e vrasjes së policit kosovar, Enver Zymeri, në vitin 2011, dhe as të ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq, më 2018, siç u tha në disa media serbe dhe lokale.

Radio Televizioni i Serbisë, duke iu referuar burimeve të paidentifikuara, raporton se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, urdhëroi vendosjen e të gjitha njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake.

Lidhur me zhvillimet në veri të Kosovës, në Beograd po mbahet mbledhja e Këshillit për Siguri Kombëtare, të cilën po e kryeson presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha në Beograd se situata është “dramatike” dhe se ka pasur edhe të shtëna në veri të Kosovës.

Gjuriq tha po ashtu se përfaqësuesit e Listës Serbe – subjekt politik i serbëve të Kosovës – që morën pjesë në një sesion të posaçëm të Kuvendit të Serbisë të hënën, udhëtuan për në Kosovë këtë mëngjes.

Gjatë operacionit në veri u dëgjuan sirenat.

 

Fraksion.com