AktualitetKosovaTë fundit

Operacion i policisë në Mitrovicë: Mes të arrestuarve, policë serbë

Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili, deri më tani, ka rezultuar me ndalimin e disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve.

Të ndaluarit dyshohet se janë të përfshirë në disa vepra penale, përfshirë: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit, tregti e ndaluar e të tjera.

“Përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Bëhet e ditur se operacioni po realizohet në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se operacioni policor në veri ka në shënjestër individë të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe aktivitete të tjera kriminale.

“Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në komunat veriore të Kosovës. Si kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin”, tha Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha në Beograd se situata është “dramatike” dhe se ka pasur edhe të shtëna në veri të Kosovës.

Gjuriq tha po ashtu se përfaqësuesit e Listës Serbe – subjekt politik i serbëve të Kosovës – që morën pjesë në një sesion të posaçëm të Kuvendit të Serbisë të hënën, udhëtuan për në Kosovë këtë mëngjes.

Gjatë operacionit në veri u dëgjuan sirenat.

 

 

Fraksion.com