AktualitetKosovaTë fundit

Kryeministri Haradinaj u bën thirrje serbëve në Veri të rrinë të qetë; Plagosen 4 policë gjatë aksionit në Mitrovicë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me operacionin e Policisë të ndërmarrë në pjesën veriore të Kosovës.

Haradinaj thotë se me urdhër të prokurorit, operacioni policor është duke ndodhur në gjithë Kosovën.

Ky operacion sipas kryeministrit është i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

“Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka ftuar serbët e veriut që ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin.

Statusi i  Haradinajt:

“Me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale.

Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë.

Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës.

Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër.

Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, shkruan kryeministri Haradinaj.

 

Katër policë janë plagosur gjatë aksionit në Veri e Jug të Mitrovicës

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa.

“Për momentin katër policë janë të plagosur por që janë jashtë rrezikut për jetë. Tre prej tyre janë duke u trajtuar në Emergjencë dhe njëri në Kirurgji”, tha Mustafa.

Njësia Speciale e Kosovës ka nisur në mëngjesin e së martës një aksion arrestimesh në veri.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se në vazhdën e arrestimeve që po i bën Njësia Speciale e Kosovës, janë arrestuar edhe disa policë kufitarë në zonën e Leposaviqit.

Ndërkohë, dy nga të arrestuarit në aksionin e veriut tashmë janë dërguar në Inspektoratin Policor të Kosovës.

 

Fraksion.com