AktualitetTë fundit

Karta e Studentit: Në pak orë mbi 200 aplikime

Karta e Studentit është një tjetër angazhim tashmë i bërë realitet në kuadër të Paktit për Universitetin.

Një ditës pas nisjes së procesit të aplikimit të Kartave të Studentit, që në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, kanë aplikuar mbi 200 studentë të Fakultetit Ekonomik.

Studentët thanë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se procesi i aplikimit ishte shumë i lehtë dhe në pak minuta mundësohet pajisja e tyre me karta.

“Procesi i aplikimit zgjati më pak se dy minuta. Ishte marrja e të dhënave, numrit të matrikullit, pjesa e kartës së identitetit dhe bërja e fotografisë. Ishte një proces shumë i lehtë i cili nuk merr edhe shumë kohë edhe për faktin që Fakulteti Ekonomik ka një numër të madh studentësh dhe nuk është mirë që të krijohen shumë flukse”, thotë një student i Ekonomikut.

Më tej, një tjetër student shprehet se shumica e studentëve janë pajisur me karta, ndonëse dita e dytë e shpërndarjes.

“Sapo aplikova për kartë studenti. Do ta shohim se çfarë përfitimesh ka. Shpresojmë të këtë përfitime më të mëdha dhe më të mira për ne studentët sepse normalisht që na ndihmojnë. Të gjithë studentët e kanë marrë në përgjithësi”.

“Më kërkuan thjesht kartë identiteti dhe dhashë të gjitha të dhënat e mia personale”, thotë një tjetër student.

Nga ana e saj, Stela Bodinaku, përgjegjëse për procesin e aplikimit për karta studenti në Fakultetin Ekonomik u shpreh se ka pasur më shumë se 200 aplikime.

“Deri tani kanë aplikuar më shumë se 200 vetë. Dje kemi punuar tre persona, sot po punojmë dy. Deri tani po ecën shumë mirë. Nuk kemi pasur probleme dhe nxënësit po e presin shumë mirë”.

Interes të lartë për aplikimin për kartë paraqitën edhe studentët e Fakultetit Histori-Filologji.

“Sapo po aplikoj për Kartë Studenti. Më erdhi shumë mirë që kjo gjë u aprovua siç na e premtoi edhe kryeministri. Besoj se do na sjelli shumë përfitime duke parë gjithë ato shërbime që ofron, ndihmesë për ne është.

“Është diçka shumë pozitive që duhet të ishte bërë me kohë por edhe fakti që po behët tani është shumë pozitive”.

62 shërbime të ndryshme publike dhe rreth 40 shërbime nga privatët, studentët do t’i përfitojnë me kushte të lehtësuara. Çdo student që do të jetë i pajisur me kartën e studentit do të ketë lehtësira në shërbime të tilla si në bankat, telekomunikacioni, transporti, supermarketet, njësitë e shërbimit kulturor, kinematë, teatrot dhe sporti.

 

Fraksion.com