Balla: 30 Qershori, hap i rëndësishëm në konsolidimin e shtetit ligjor
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, zhvilloi sot një takim në Kryesinë e Kuvendit, me kryetarin e Zyrës Ndërlidhëse të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Vjenë, amabasador Andrea Nothele.
Gjatë takimit, Balla e informoi Nothele lidhur me punën e kryer nga Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të miratimit të ligjeve të Paketës së Reformës në Drejtësi, duke u shprehur se vetëm para pak ditësh u përmbyll edhe ligji i fundit, ndër 30, i kësaj pakete. Kuvendi i Shqipërisë është plotësisht funksional, teksa ¾ e deputetëve të opozitës kanë rimarrë detyrën.
“Zgjedhjet e 25 Majit 2017 ishin zgjedhjet më të qeta dhe të gjithëpranuara. Si kurrë më parë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, të gjithë procesverbalet e çdo qendre votimi u firmosën nga të gjithë komisionerët, në total 35 mijë, gjysma prej të cilëve të opozitës, pa asnjë kontenstim të rezultatit final dhe vendimi i KQZ për shpalljen e rezultatit përfundimtar ishte 7 me 0. Për herë të parë dhe të vetme në historinë e vendit, mbarëvajtja e tyre u kontrollua nga vetë Partia Demokratike në opozitë. Ishte Lulzim Basha ai që në 2017-n kishte nën kontroll KQZ përmes Kryetarit dhe shumicës së anëtarëve, Ministrinë e Brendshme, Ministritë e Financave, Arsimit, Shëndetësisë, Drejtësisë, zv.Kryeministrin, OSSHE, ALUIZNI-n, burgjet, hipotekat dhe AZHBR-në”, u shpreh Balla.
Balla bashkëndau me Nothele domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës në përcaktimin e 30 Qershorit si një afat i panegociueshëm për përfundimin e mandatit të organeve të pushtetit vendor.
Duke folur për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, Balla shprehu bindjen se pavarësisht situatës politike të krijuar në vend, Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm historik, pasi pritet që nesër në mesditë Komisioni Europian të rekomandojë ashtu si para një viti fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes BE-së dhe Shqipërisë, bashkë me Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa ambasadori Nothele nga ana e tij deklaroi se integriteti i institucioneve nuk duhet diskutuar dhe se debatet politike duhet të zhvillohen në institucionet e zgjedhura demokratike.
Ndërsa, lidhur me incidentin ndaj Kryetarit të Prezencës së OSBE, ambasadorit, Bernd Borchardt, Balla i kërkoi ndjesë si qytetar dhe si deputet i Parlamentit të Shqipërisë.
“Është për të ardhur keq që opozita sulmon ambasadorët apo përfaqësues të lartë të Komisionit Europian apo Parlamentit Europian, sa herë ata flasin mirë për Shqipërinë”,
tha Balla.
Fraksion.com