Austri, parlamenti largon kreun e qeverisë
Parlamenti austriak largoi me një mocion mosbesimi Kancelarin Sebastian Kurz, pas një skandali korrupsioni që i dha fund koalicionit qeverisës.
Iniciativa për largimin nga pushteti të 32-vjeçarit Kurz, kryeministrit më të ri në botë, dhe forcës ës tij politike, Partisë Popullore Austriake, u udhëhoq nga Social-demokratët dhe u mbështet nga partia e së djathtës së largët, Partia e Lirisë, e cila dikur ishte anëtare e koalicionit qeverisës.
Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, do të zgjedhë tashmë një kancelar të ri që do të kryesojë një qeveri të përkohshme deri në zgjedhjet që pritet të mbahen në shtator.
Partia e Kurz arriti rezultate të forta gjatë zgjedhjeve të së dielës për Parlamentin Evropian, por kjo nuk mjaftoi për të ndalur largimin e tij. Kurz është tashmë kancelari i parë në historinë austriake pas Luftës së Dytë Botërore që humb votëbesimin në parlament.
Nëpërmjet Facebook-ut, ai i akuzoi kundërshtarët e tij për një “lojë hakmarrjeje” dhe shtoi se “në fund të ditës, njerëzit do të vendosin në shtator”.
Koalicioni i Kurz u shpërbë pas shfaqjes së një videoje dëmtuese për udhëheqësin e Partisë së Lirisë, Heinz-Christian Strache, njëkohësisht edhe ish-zëvendëskancelar. Në video, Strache duket se i ofron mbesës së një oligarku rus kontrata publike, nëse ajo do të blinte një pjesë të madhe të aksioneve të gazetës austriake Kronen Zeitung dhe ta detyronte gazetën të mbështeste Partinë e Lirisë.
Skandali që pasoi u quajt “Ibiza-gate”, sipas ishullit spanjoll ku u regjistrua videoja në vitin 2017, disa javë përpara zgjedhjeve që sollën në pushtet Kurz dhe aleatët e Partisë së Lirisë. Nuk është ende e qartë se kush e bëri filmimin dhe pse u vonua kaq shumë publikimi i tij.
Në video, Strache dëgjohet të thotë se synonte “të krijonte një sfond mediatik si (Viktor) Orbani”, politikani nacionalist dhe anti-emigracion i Hungarisë.
Strache dha dorëheqjen nga posti i zëvendëskancelarit vetëm pak orë pasi u shfaq videoja. Me kërkesën e Kancelarit Kurz, Presidenti Van der Bellen shkarkoi në vijim Ministrin e Brendshëm, Herbert Kickl, i Partisë së Lirisë, një lëvizje kjo që shtyu ministrat e tjerë të kësaj partie të jepnin dorëheqjen në shenjë solidariteti.
Përpara votës së mosbesimit, Kurz i tha parlamentit se “jam shumë krenar dhe i kënaqur me punën që kemi bërë si qeveri gjatë këtij një viti e gjysëm”.
Të dielën, partia e tij e qendrës së djathtë, Partia Popullore Austriake, u radhit e para gjatë votimeve për Parlamentin Evropian, duke siguruar 34.9% të votave të austriakëve. Social-demokratët morën 23.6% të votave, dhe Partia e Lirisë 18.1%.
Fraksion.com