AktualitetNATO/BETë fundit

Tkurret Qendra e Parlamentit Europian

 NGa Bernd Riegert

 

“Zgjedhjet vendimtare” bënë që shumë zgjedhës të shkojnë në kutitë e votimit. Partitë e mëdha janë tkurrur. Parlamenti Europian do ketë shumë ngjyra. Populistët e djathtë shtojnë vendet.

E papritura më e madhe e zgjedhjeve europiane është pjesëmarrja e lartë në votime. Rreth 51 përqind e 420 milionë votuesve në vendet e BE, hodhën votën në kutitë e votimeve. Pjesëmarrja në votime kësaj here ishte tetë përqind më e lartë se në zgjedhjet e fundit, pesë vjet më parë. Protestat kundër politikës së klimës, nxënësit në greva dhe rezistenca e partive populiste të djathta që janë kundër BE, i mobilizuan zgjedhësit, mendon eksperti për çështjet politike, Janis Emmanouilidis nga “European Policy Centre” në Bruksel.

Komisarja liberale e BE, danezja Margrethe Vestager tha në një intervistë për DW, se njerëzit e kuptuan se zgjedhjet tregojnë forcë. “Kjo forcë duhet shfrytëzuar dhe u duhet thënë njerëzve se ajo ka kuptim,” mendon Vestager, e cilë kërkon të bëhet presidente e Komisionit të BE. “Në zgjedhje kanë kandiduar parti që duan ta shkatërrojnë BE. Kanë kandiduar parti që e quajnë veten nacionaliste, por që duan ta shesin vendin e tyre tek rusët. Kjo i bëri njerëzit që të mendojnë se duhet shkuar në zgjedhje.” Kandidati kryesor i socialdemokratëve europianë Frans Timmermans, thotë i gëzuar se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje është “një sinjal i qartë për një demokraci funksionuese”.

Belgien Margrethe Vestager in Brüssel (picture-alliance/AP Photo/F. Seco)Margrethe Vestager, kandidatja kryesore e liberalëve

Fitojnë liberalët dhe të gjelbërit

Liberalët dhe të gjelbërit e Parlamentit Europian kanë marrë më shumë vota se të tjerët. Në Gjermani, Të gjelbërit arrijnë me 20 përqind të votave t’ia kalojnë edhe socialdemokratëve dhe të dalin në vend të dytë, pas Unionit konservator. Ky është rezultati më i mirë që Të gjelbërit kanë arritur ndonjëherë në zgjedhjet që zhvillohen në gjithë federatën.

Kryetari i fraksionit të socialdemokratëve në Parlamentin Europian, Udo Bullmann, i zhgënjyer shumë nga rezultati i zgjedhjeve, pranoi për DW se partia e tij e nënvleftësoi temën e politikës për klimën. Në këtë pikë duhen bërë ndryshime. Edhe kryetarja e CDU-së gjermane, Annegret Kamp-Karrenbauer pranoi në Berlin deficite të partisë së saj në temën numër një, atë të ambientit. Megjithatë ajo ishte e kënaqur që Unioni konservator, megjithë humbjet që pësoi mbeti partia më e fortë në Gjermani dhe fraksioni më i fortë në Parlamentin Europian.

Manfred Weber, kandidati kryesor i Partive Popullore Europiane, (EVP), tha në mbrëmje se pretendon të bëhet President i Komisionit të BE. “Ne nuk patëm ndonjë fitore të madhe, por ne mbetemi grupimi më i fortë,” tha politikani i CSU, në Bruksel. Ai i bëri thirrje partive të tjera pro-europiane për të bashkëpunuar dhe foli shprehimisht për të gjelbërit. “Të gjelbërit janë po ashtu fitues të ditës. Prandaj ata janë partnerë të mundshëm. Ne duam të ulemi së bashku dhe të projektojmë një mandat për pesë vitet e ardhëshme.”

Kristiandemokratët mbeten grupimi më i fortë

Në Parlamentin Europian, EVP e Weberit ka marrë paraprakisht 180 vende. Kjo shumë është 42 vende më pak se deri tani. Socialdemokratët janë reduktuar po ashtu dhe kanë marrë 147 vende. Liberalët, përfshirë edhe partinë e re të presidentit francez Macron, kanë marrë 105 mandate. Të Gjelbërit janë shtuar nga 52 në 67 vende. Populistët e djathtë janë të përfaqësuar shumë fort në disa vende si Italia dhe Franca, megjithatë kanë marrë më pak vende, se sa parashikohej në prognoza. Të gjithë bashkë ata kanë marrë 150 vende, por që janë të ndara në tre fraksione të ndryshme. Nacionalistët gjermane të AfD, nuk morrën aq shumë vota sa mendohej të merrnin, por në landin e Brandenburgut morrën shumicën e votave dhe kanë arritur t’ia kalojnë edhe Unionit.

Populistët e djathtë shtojnë votat

Italien Matteo Salvini in Mailand (AFP/M. Medina)Populistët e djathtë përmirësojnë rezultatin por nuk marrin aq sa pritej

Eksperti i BE-së në Bruksel, Janis Emmanouilidis thotë se partitë pro-europiane kanë marrë 80 përqind të vendeve të parlamentit. “Në përgjithësi populistët e djathtë nuk janë shumë të fortë si grupim, ndryshe nga sa kishin paralajmëruar disa vetë. Ne e kemi pas ditur gjithnjë se ato nuk do të marrin shumicën, por ato janë madje edhe më të dobta se sa patëm menduar.” Në Itali, Lega e djathtë e ministrit të Brendshëm, Matteo Salvini mori shumicën e votave. Në Francë politikania e djathtë Marine Le Pen mundi partinë e presidentit francez. “Macron u mundua vërtet të vendoste në peshore peshën e tij politike, për të penguar që Marine Le Pen me partinë e saj të dalin të parët. Por ai nuk e arriti synimin,” analizon Emmanouilidis.

Në shumë nga 28 vendet e tjera anëtare mund të vërehet, se partitë që kanë qenë të mëdha deri tani, partitë e qendrës kanë marrë më pak vota. Liberalët, Të gjelbërit dhe partitë e djathta janë forcuar. Studiuesit e zgjedhjeve në Bruksel folën në natën zgjedhore për rritje të fragmentimit. “Ne vërejmë se partitë e mëdha e kanë humbur fillin dhe se duhet krijuar një koalicion i madh për të marrë shumicën,” thotë Janis Emmanouilidis nga Think Tank “European Policy Centre”. Në Parlamentin e ardhshëm Europian, konservatorët dhe socialdemokratët nuk përbëjnë më shumicën si grup informel koalicioni, siç ka qenë e zakonshme deri tani. Ata duhet të bëhen bashkë me liberalët dhe mbase edhe me fraksionin e Të gjelbërve.

Një shumicë që të jetë majtat Qendrës, e përbërë nga të majtët, socialdemokratët, të gjelbërit dhe liberalët nuk arrin të merret me llogaritje. Shumicë djathtas Qendrës po ashtu nuk vjen në pyetje, sepse kristiandemokratët nuk mund të bëhen bashkë me nacionalistët dhe populistët e djathtë. “Kështu që që tani çështja komplikohet, sepse asnjë nga grupimet nuk e merr dot shumicën pa të tjerët. Ditët e ardhshme do të jetë interesante të shihet kush flet me kë, për të vënë gjërat në lëvizje,” thotë kandidatja kryesore e liberalëve Vestager në intervistë me DW, duke patur parasysh fragmentimin e parlamentit. /DW

 

Fraksion.com