Life StyleTë fundit

Si i futi në sherr Zaimina politikanët kur u ul me helikopter në vilën e Bamir Topit

“Kush ishte këngëtarja që u ul me helikopterin e Ministrisë te vila e Bamir Topit?” Këto ishin titujt kryesorë të mediave në vitin 2013, kur ish-Presidentit Bamir Topi deklaroi se helikopterët e ushtrisë përdoren për pushime nga biznesmenë dhe femra. Ai në fakt i referohej rastit të klipit të Zaimina Vasjarit, për të cilën u tha se Ministria e Mbrojtjes i vuri në dispozicion dy helikopterë të Ushtrisë shqiptare për të realizuar videoklipin për këngën e saj.

Këtë rast e ka zbardhur sot “Panorama Plus”, në një artikull kushtuar këngëtares. Sipas Bamir Topit, i cili pretendon se atë ditë ka qenë në një takim elektoral të FRD-së në Poliçan, ky ishte një provokim i urdhëruar nga ish-Kryeministri Sali Berisha për të trembur familjen e ish-Presidentit.

Por përmes një reagimi, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, tha asokohe se helikopteri ishte ulur pas një kërkese të këngëtares Zajmina Vasjari, e cila donte të xhironte një klip, pikërisht atë me titull “I kom”, që u publikua në 31 maj të vitit 2013. Pas bujës që u bë për realizimin e një videoklipi me helikopterët e Ushtrisë, nuk qëndroi në heshtje as Zaimina.

“Shumë gazetarë më kanë telefonuar për këtë çështje, por nuk jam prononcuar pasi kjo është bërë një çështje politike. Nuk kam motiv të akuzohem apo frikësohem”, është shprehur ajo, sipas mediave. Për të gjithë ju që nuk e mbani mend, bëhet fjalë për klipin “I kom” ku Zaimina Vasjari u shfaq si një ushtarake seksi, që kishte armë dhe artileri të rëndë për të kapur rob apo shantazhuar “ushtarin” e saj të zemrës.