AktualitetEkonomiTë fundit

Nafta në Shpirag, Balluku: Kompani të mëdha interes për investime

Është një ditë e shënuar për naftën dhe gazin shqiptar, por edhe për rritjen e ekonomisë së Shqipërisë.

Kështu u shpreh sot, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një  konferencë të përbashkët për shtyp me Drejtorin e Përgjithshëm të Shell Upstream Albania, Rohan D’Souza, lidhur me zbulimin e rëndësishëm të naftës në Bllokun 2 dhe 3 në zonën Shpirag të Qarkut Berat, çka është dhe zbulimi i parë i një vendburimi të ri të naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se pas disa vitesh aktivitetit kërkues dhe vlerësues në Shqipëri, kompania Shell konfirmon potencialin e zbulimit të rëndësishëm të naftës në Bllokun 2 dhe 3 zona e Shpiragut, Qarku Berat. Ky zbulim ka një rëndësi të veçantë pasi mund të jetë zbulimi i parë i naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri”- tha Balluku.
Ky zbulim ka një rëndësi të veçantë pasi mund të jetë zbulimi i parë i naftës në 30 vitet e fundit në Shqipëri. Kompania Shell ka qenë shumë këmbëngulës në punimet në pusin Shpirag 4, ku rezultatet e mëparshme kanë konfirmuar cilësinë e naftës së papërpunuar dhe ekzistencën e rezervave të mundshme të naftës.
Gjithashtu rezultatet e fundit konfirmojnë se struktura e rripit naftëmbajtës është me porozitet të lartë, duke e bërë kështu nxjerrjen e naftës më të lehtë dhe rrjedhimisht, më pak të kushtueshme.

Balluku tha se, konfirmimi në pusin Shpirag 4 i jep Shell garanci për të vazhduar punimet dhe investimet në pusin Shpirag 3, me një probabilitet të lartë suksesi, të nevojshëm për përfundimin e programit të vlerësimit.

“Në fund të fazës së vlerësimit, nëse pusi përmbush pritshmërinë Shell do të fillojë prodhimin, duke u bërë kështu një aktor i rëndësishëm akoma dhe më në tregun e naftës dhe gazit në Shqipëri. Prodhimi aktual i naftës së papërpunuar për Shqipëri, në shkallë vendi është përafërsisht 18 mijë fuçi në ditë, ndërkohë që nga ky pus potenciali parashikon të prodhojë disa mijëra fuçi në ditë, gjë që vërteton rëndësinë e madhe të këtij zbulimi të ri. Për më tepër, ky zbulim do të ketë implikime të rëndësishme ekonomike si për kompaninë ashtu edhe shtetin shqiptar”- theksoi Balluku.

Ndërsa nënvizoi faktin se, sikurse përcaktohet në marrëveshjen e hidrokarbureve me SHELL, shteti shqiptar përfiton rentë minerare, pjesën e tij të prodhimit, si dhe tatim mbi fitimin që nga fuçia e parë e prodhuar.

“Çfarë është edhe më e rëndësishme, prodhimi nga ky pus do të stimulojë punësimin, do të rrisë furnizimin me naftë të rafinerive vendase, do të inkurajojë krijimin e ekonomive të shkallës në sektorin e downstream dhe do të krijojë standarde më të larta të prodhimit në atë të sektorit upstream. Konfirmimi i këtij zbulimi të rëndësishëm të naftës së lehtë i hap rrugë investimeve të ardhshme në aktivitetet e kërkimit pasi është një tregues i pranisë së rezervave të pa eksploruara të hidrokarbureve deri më tash në Shqipëri”- tha ajo.

Sektori i hidrokarbureve ka qenë gjatë viteve të fundit në qendër të vëmendjes së Qeverisë Shqiptare, e cila është angazhuar me të gjitha kapacitetet për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.

Ministrja theksoi se, sot, investimet private në fushën e kërkim-zbulimit arrijnë në vlerën 1.5 miliardë dollarë ku një vend të rëndësishëm zë kompania SHELL me një të tretën e këtyre investimeve.

Nga ana tjetër, vijoj ajo, jemi në kontakte të vazhdueshme edhe me kompani të tjera të mëdha dhe prestigjioze që kanë shfaqur interesin e tyre për ushtruar aktivitetin në vendin tonë për kërkim-zbulimi të naftës dhe të gazit dhe ashtu siç dukshëm, në këto momente zbulimi i SHELL do t’i nxisë këto kompani për të përshpejtuar gjithçka që ata kanë në planet e tyre për investimet në Shqipëri në të ardhmen.

“Qeveria Shqiptare do të vijojë të mbështesë, nxisë dhe të mbrojë, me transparencë të plotë, të gjithë iniciativat e rëndësishme dhe të suksesshme të investitorëve të huaj e vendas në Shqipëri, në zbulimin dhe nxjerrjen e naftës dhe të gazit, si e vetmja mënyrë për të kontribuar në një rrije të qëndrueshme ekonomike të vendit” – deklaroi Balluku.

Ndërsa solli në vëmendje të gazetarëve se, ky është një zbulim me të cilin sapo jemi përballur dhe sapo e kemi mësuar kështu që, unë e di që kurioziteti është sesa është numri i fuçive në ditë apo sesa pritet që të ketë ndikim në buxhetin e shtetit.

“Megjithatë tha ajo, duhet të kuptojmë që ne jemi në fazat e para, rëndësi ka që është zbuluar naftë e lehtë që Shqipëria është prodhuese, për ekspertët që kam dhe më konfirmojnë, e naftës së rëndë e cila nuk është shumë e preferuar dhe e kërkuar në tregje dhe zbulimi i kësaj nafte të lehtë ne na bën që të fillojmë dhe të kemi një rëndësi të madhe në tregun e hidrokarbureve botëror përsa i përket tregtimit të tij dhe sigurisht, furnizimi i rafinerive vendase por edhe i të huajave me naftë të lehtë është shumë më i kërkuar dhe më i duhuri.

 

Fraksion.com