Kryeprokurorja: 19 prokurorë të konfirmuar në detyrë, 21 të shkarkuar
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku deklaroi sot se “gjatë vitit 2018 janë përfunduar 30615 çështje, 38,5 % janë dërguar për gjykim, 21,7 % janë pushuar, 35,6 % janë pezulluar dhe 4,2 % janë transferuar në prokurorinë kompetente.
Në raportin Vjetor mbi Gjendjen e Kriminalitetit të vitit 2018 në mbledhjen e Përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë, Marku tha se, “konkretisht në vitin 2018 janë dërguar në gjykatë 118019 çështje me akuzë ndaj 13414 të pandehurve. Krahasimisht me vitin 2017 rezulton një rritje prej 2,59 % e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë dhe 4,65 % e numrit të të pandehurve dërguar në gjykatë”, tha Marku. Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2018 janë dënuar 10246 të pandehur dhe për 211 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm.
“Gjatë vitit 2018 është kërkuar gjykimi i drejtëpërdrejtë për 315 çështje me 318 të pandehur. I janë dërguar gjykatës 591 kërkesa për miratim të urdhrit penal në lidhje me 619 të pandehur dhe në 43 raste është vendosur refuzimi i miratimit të urdhrit penal.I janë dërguar gjykatës 570 kërkesa për miratim të marrëveshjes së fajësisë në lidhje me 621 të pandehur dhe në 38 raste është vendosur refuzimi i miratimit të marrëveshjes.Gjatë vitit 2018, u dërguan në gjykatë për pushim 2605 çështje. Nga të dhënat rezulton se në 169 çështje gjykata vendosi kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve ndërsa në 12 çështje vendosi kthimin e akteve dhe urdhërimin e formulimit të akuzës.”, tha Marku.
Sa i përket vettingut, Marku u shpreh se, “Grupi i punës në Prokurorinë e Përgjithshme ka dorëzuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit gjithsej 83 raporte të vlerësimit profesional të subjekteve prokuror/drejtues të rivlerësimit kalimtar. Aktualisht, në procesin e rivlerësimit kalimtar kanë kaluar dhe janë konfirmuar në detyrë 19 prokurorë, ndërsa për 21 prokurorë është vendosur shkarkimi nga detyra, prej të cilëve 15 prokurorë janë të pezulluar në pritje të shqyrtimit të ankimit tyre në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA)”.
Në këtë kuadër, theksoi Marku, “shkarkimi nga detyra e rreth 50 % të prokurorëve në procesin e rivlerësimit kalimtar, na obligon institucionalisht që në kuadrin e bashkëpunimit me KLP dhe Shkollën e Magjistraturës të merren masat e duhura për të planifikuar në kohë zëvendësimin e tyre me magjistratë/prokurorë sipas ligjit, me synim për të shmangur rritjen progresive të numrit organik të prokurorëve që i mungojnë sistemit të prokurorisë në të tre nivelet pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm”.
Marku ritheksoi se, “Lufta kundër krimit të organizuar. Lufta ndaj krimit ekonomik e financiar, pastrimit të parave, terrorizimit, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ka qenë dhe mbetet prioritet i punës tonë në bashkëpunim me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit veçanërisht për identifikimin, hetimin dhe goditjen e rrjeteve kriminale që qëndrojnë pas tyre”.
“Sa i përket rritjes së numrit të hetimeve proaktive, gjatë vitit 2018 janë kryer 64 procedime për veprat penale në fushën e trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave apo krimeve të tjera të rënda. Ky proces i ka shërbyer, si parandalimit dhe/ose ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes/finalizimit me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 122 personave të përfshirë në kryerjen e këtyre veprave penale”, u shpreh Marku.
“Lidhur me trafikun e qenieve njerëzore, në vitin 2018 për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur” janë regjistruar 17 procedime penale, ndërkohë 1 procedim është dërguar për gjykim ose krahasuar me vitin 2017 me ulje prej 29 % të numrit të procedimeve të regjistruara. Ndërsa, për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, janë regjistruar 5 procedime penale, ndërkohë 1 procedim penal është dërguar për gjykim, ose krahasuar me vitin 2017 me ulje 16 % e numrit të procedimeve të regjistruara”, tha Marku.
“Sa i përket “Trafikimit të armëve dhe municionit”, në vitin 2018 janë regjistruar 11 procedime penale, ndërkohë 3 procedime janë dërguar për gjykim ose krahasuar në vitin 2017 me rritje rreth 2 herë të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë vepër penale. Lidhur me hetimet për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe atë të përvetësimit të parave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në vitin 2018 janë regjistruar gjithsej 269 procedime penale, ndërkohë janë dërguar për gjykim 23 procedime penale”, u shpreh Marku.
“Ndërsa, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, janë regjistruar 257 procedime, ndërkohë 17 procedime janë dërguar për gjykim, ose krahasuar me vitin 2017 me ulje prej 16 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë vepër”, theksoi Marku.
“Në lidhje me luftën kundër terrorizmit të dhënat statistikore të vitit 2018, për veprën penale “Financimi i terrorizmit” janë regjistruar 4 procedime penale ose krahasuar me vitin 2017 me ulje 33 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë vepër’, tha Marku.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Marku tha se, “në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017 për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kemi rritje të numrit të procedimeve të regjistruara, ndërsa për veprat e tjera penale në këtë fushë ka ulje të numrit të procedimeve. Sipas të dhënave statistikore evidentohet se ka një ulje prej 37 % të numrit në total të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit, dhe rritje prej 63,83 % të procedimeve të dërguara në gjykatë në krahasim me vitin 2017”.
Në lidhje me të pandehurit, për këtë grup veprash penale, vihet re një ulje prej 10,71 % e “numrit të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2017 dhe një rritje prej 20,83 % e numrit të pandehurve të cilët janë dërguar në gjykatë. Në uljen e këtij numri të procedimeve të regjistruara, çmojmë se kanë ndikuar si masat e marra në kuadrin e reformës ligjore dhe institucionale, ashtu dhe efektet parandaluese nga goditja dhe rritja e numrit të çështjeve të dërguara në gjykatë për këtë grup veprash penale në fushën e korrupsionit. Numrin më të lartë në procedimet e regjistruara për veprat penale të korrupsionit për vitin 2018 e zë vepra penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e konkretisht në masën 43 % të tyre, ndërsa për vitin 2017 kjo vepër përbënte 22 % të totalit të procedimeve për korrupsion. Procedimet e regjistruara për këtë vepër janë rritur nga 61 procedime në vitin 2017, në 74 procedime në vitin 2018 ose me rritje 21 % të procedimeve të regjistruara”, tha Marku.
Për veprat penale kundër korrupsionit, Marku nënvizoi se, “gjatë vitit 2018 janë kryer hetime proaktive dhe me përdorim të teknikave të posaçme të hetimit në kuadrin e 93 procedimeve penale, ndërkohë 30 procedime i përkasin prokurorisë për krime të rënda dhe 63 procedime i përkasin prokurorive të tjera ose krahasuar me vitin 2017 me shifra në rritje 14,4 %’.
Kjo veprimtari, theksoi Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, “ka shërbyer në ndalimin e 73 personave (të arrestuar në flagrancë apo ndaluar) si të dyshuar për përfshirjen në kryerjen e veprave penale, të korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, ndërkohë 14 persona/autorë të dyshuar i përkasin kompetencës të prokurorisë për krime të rënda dhe 59 persona/autorë të dyshuar, në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm”.
Ndërkohë, shtoi Marku, “janë filluar kryesisht nga prokuroria 21 çështje për vepra që lidhen me abuzimin me funksionin publik, ku peshën kryesore e përbëjnë procedimet që lidhen me shpërdorimin e detyrës, për të cilën janë filluar kryesisht 8 çështje, korrupsioni pasiv i funksionarëve të sistemit të drejtësisë për të cilët janë filluar kryesisht 5 çështje dhe korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, për të cilët janë filluar kryesisht nga prokurori 4 çështje”.
Sa i përket luftës kundër narkotikëve, Marku tha se, “në zbatim të detyrimit që rrjedh nga Rezoluta për rritjen e numrit të hetimeve proaktive për veprat penale në fushën e narkotikëve, gjatë vitit 2018 janë kryer hetime proaktive dhe me përdorim të teknikave të posaçme të hetimit në kuadrin e 250 procedimeve penale, ndërkohë 104 procedime i përkasin prokurorisë për krime të rënda dhe 146 procedime i përkasin prokurorive të tjera”.
Kjo veprimtari, shtoi Marku, “ka shërbyer në parandalimin e 275 personave të arrestuar në flagrancë apo ndaluar si të dyshuar për përfshirjen në kryerjen e veprave penale në fushën e narkotikëve, ndërkohë 151 persona/autor të dyshuar i përkasin kompetencës të prokurorisë për krime të rënda dhe 124 persona/autor të dyshuar në kompetencë të prokurorive pranë gjykatës të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm”.
“Të dhënat statistikore lidhur me veprat penale në fushën e narkotikëve në vitin 2018 tregojnë se, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, janë regjistruar 1127 procedime, ndërkohë 447 procedime janë dërguar në gjykatë ose krahasuar me vitin 2017 me ulje 5,5 % të numrit të procedimeve të regjistruara”, tha Marku.
“Për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” janë regjistruar 292 procedime penale, ndërkohë 46 procedime janë dërguar për gjykim ose krahasuar me vitin 2017 me ulje 22 % të numrit të procedimeve të regjistruara. Lidhur me veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në vitin 2018, janë regjistruar 105 procedime penale, ndërkohë janë dërguar në gjykatë 39 procedime ose krahasuar me vitin 2017 me ulje 46 % të numrit të procedimeve të regjistruara për këtë vepër”, u shpreh Marku.
Sa i përket zbatimit të ligjit “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, për vitin 2018, janë trajtuar 774 raste të hetimit pasuror nga të cilët, për 13 referime pasurore është vendosur mosfillim, ndërsa pjesa tjetër e materialeve pasurore janë mbartur për vitin 2019.
Për vitin 2018, rezultojnë se janë pranuar nga gjykata 7 kërkesa për sekuestrim dhe 4 kërkesa për konfiskimin e pasurive të sekuestruara. Pasuritë objekt i këtyre vendimeve janë apartamente, troje, automjete me vlera të konsiderueshme. Kryesisht, veprat penale që kam shërbyer si indicie për hetimin pasuror kanë qenë ato të pastrimit të parave dhe trafikimit të narkotikëve.
Fraksion.com