AktualitetBota+Të fundit

Korea Veriore: Këshilltari Bolton, “fanatik i luftës”

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton është një “fanatik i luftës”, i cili ka gabuar kur ka thënë se testimet e fundit raketore të Koresë Veriore kanë shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara, ka thënë ministria e Jashtme e Koresë Veriore përmes një deklarate të publikuar të hënën nga agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA.

Në deklaratë është cituar përfaqësuesi i ministrisë së Jashtme të ketë thënë se heqja dorë nga testimet raketore nënkupton heqjen dorë nga vetëmbrojtja.

Ky përfaqësues ka veçuar Boltonin, i cili javën e kaluar ka thënë se testimet e fundit kanë shkelur rezolutat e OKB-së.

Në deklaratë është thënë edhe se Bolton është duke punuar më shumë për të shkatërruar paqen sesa për të garantuar siguri.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur më 4 maj, kur Koreja Veriore ka testuar disa raketa dhe të paktën njëra ka qenë me rreze të shkurtër veprimi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka takuar dy herë udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, por bisedimet e fundit, në muajin shkurt, kanë dështuar, pasi Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.

 

Fraksion.com