Gjermani: Debat shumë i nxehtë për simbolet e hebrejve
“Shteti duhet të garantojë ushtrimin e përkatësisë fetare, pa kufizime”, thotë ministri i Brendshëm gjerman eehofer. Ishte ky paralajmërimi i tij pas debateve të nxehta për bartjen e simboleve fetare të hebrejve.
“Nuk është e pranueshme që hebrejtë të detyrohet të fshehin përkatësinë e tyre fetare në Gjermani”, kumtoi ministri i Brendshëm Horst Seehofer (CSU) në Berlin. Dhe shtoi: “Pas veprave të fundit me sfond antisemitizmin, duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më të shqetësuar.”
Më parë i ngarkuari federal për luftimin e antisemitizmit, Felix Klein, ka sugjeruar se do të ishte më mirë që hebrejtë të mos e bartin në kokë gjithandej dhe gjithmonë në Gjermani Kipën, pra kapelën e vogël që simbolizon këtë fe. Ai ka shprehur keqardhje për zhvilimet e fundit në shoqëri ku shihet një lloj rezistence dhe ashpërsimi ndaj personave të tillë. Një kontribut të madh për shpeshtimin e qëndrimeve antisemitiste luajnë mediat sociale dhe interneti, por edhe “sulmet e vazhdueshme kundër kulturës sonë të kujtimit”, tha Klein.
“Dështimi i shtetit”
Publicisti Michel Friedman e quan këtë deklaratë të Kleinit si një lloj dobësimi të shtetit, sepse ish-zv/kryetari i Këshillit Qendror të Hebrejve në Gjermani, rikujton se në Nenin 4 të Kushtetutës, thuhet se në Gejramni garantohet liria e fesë. “Duket se shteti po dështon që këtë të drejtë t’ua sigurojë të gjithë hebrejve.” Edhe ministrja e Drejtësisë Katarina Barley (SPD) shprehet e shqetësuar: “Shpeshtimi i veprave të dhunshme kundër hebrejve është i turpshëm për vendin tonë”, tha ajo për gazetën “Handelsblatt”. “Lëvizjet djathtiste po sulmojnë bazat e demokracisë sonë dhe kanë vënë bashkëjetesën në shënjestër.”
Shtimi i sulmeve
Shumë incidente me motive antisemitiste kanë ndodhur kohët e fundit në Gjermani, që ka shkaktuar një debat të nxehtë. Në gusht të vitit të kaluar në Chemnitz u sulmua një restorant hebre me gurë dhe shishe. Në Berlin, në prill të vitit 2017, një sirian sulmoi një izraelit me Kipa mbi kokë. Sulmuesi u dënua me katër javë burg. Në Bon vitin e kaluar u sulmua një profesor me Kipa mbi kokë nga një grup të rinjsh me origjinë palestineze. Në raportin e fundit vjetor thuhet se gjatë vitit 2018 ka pasur 1799 vepra antisemitiste, që do të thotë një rritje prej gati 20% në krahasim me vitin 2017.
Rreziqet
Këshilli Qendror i Hebrejve ka paralajmëruar nga rritja e antisemitizmit në Gjermani, dhe ka sugjeruar që Kipa të mos bartet në disa pjesë të qyteteve të mëdha. Presidenti i Këshillit Josef Schuster ka delaruar në korrik të vitit 2017: “Në disa pjesë të qyteteve të mëdha më mirë është të mos njihesh në rrugë si hebre”. Përvojat kanë treguar se bartja publike e Kipas apo ndonjë simboli tjetër fetar hebre mund të shoqërohet me sulme verbale apo fizike. Në traditat fetare të hebrejve thuhet se Kipa duhet të bartet nga burrat gjatë gjithë ditës, si një simbol i fesë së tyre./DW
Fraksion.com