Thaçi plas “bombën” në Has: Shqipëri-Kosovë i bashkoj në një shtet!
Në kulmin e debatit të dy kampeve të politikës shqiptare për çështjen e korrigjimit të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, që kryesohen nga Hashim Thaçi në njërin krah dhe Sali Berisha në tjetrin, Presidenti i Kosovës ka lëshuar “bombën” e radhës.
Gjatë një vizite ditën e sotme në Has, ku mori dekoratën “Qytetar nderi” në Krumë, Thaçi nuk anashkaloi çështjen e kufirit Kosovës-Serbi, por ndër të tjera foli edhe për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Sipas Kreut të Shtetit kosovar, në një të ardhme të afërt, Kosova dhe Shqipëria do të jetojnë bashkë, pa kufi.
Sipas tij, shqiptarët janë ndarë padrejtësisht e tani duhet të bashkohen me vullnet.
“Ju keni qenë bashkërisht në istikamet e luftës dhe bashkërisht do të jetojmë në liri, dhe bashkërisht do të jetojmë në të ardhmen e afërt në një shtet të përbashkët Kosovë-Shqipëri. Të jeni të sigurt që shumë e lehtë është realizmi i ëndrrës që të kemi një hapësirë pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë, sesa që ka qenë sfida e largimit të Serbisë nga Kosova dhe kjo do të ndodh. Ju e dini botërisht dhe e ritheksoj edhe sot këtu në mesin e burrave të Hasit dhe grave, zotimin tim dhe përkushtimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës pa u cenuar asnjë milimetër e territorit të Republikës së Kosovës, as Trepça, as Ujmani, as Mitrovica, asnjë cep i territorit të Kosovës si parakusht për bashkim kombëtar”, tha ai.
Fraksion.com