“Rritja e së djathtës ekstreme në Evropë nuk lejon zgjerimin e BE-së”
Akademikja dhe shkrimtarja italiane Valeria Giannotta që jeton në Turqi ka deklaruar se e djathta ekstreme që është në trendin e rritjes në Evropë nuk do të lejojë zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE).
Ajo e admiron shumë Turqinë ku erdhi për tezat e doktoraturës dhe ku që prej 10 vitesh është lektore në universitete të ndryshme në Stamboll, Gaziantep dhe Ankara. Giannotta është prononcuar për Anadolu Agency (AA) në lidhje me zgjedhjet për Parlamentin Evropian (PE), marrëdhëniet Turqi-BE dhe në lidhje me librin e saj të titulluar “Erdoğan dhe partia e tij” i cili është fitues i çmimit prestigjoz Cerruglio në Itali.
Dr. Giannotta, lektore në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e institucionit të Aeronautikës Turke (Türk Hava Kurumu Üniversitesi) para zgjedhjeve të PE-së pasi ka tërhequr vëmendjen tek e djathta ekstreme e cila në vitet e fundit ka treguar trendin në rritje në Evropë dhe reflektimin e kësaj në politikat e BE-së për 5 vitet e ardhshme, tha se se “Rritja e partive të krahut të djathtë ekstrem në Evropë nuk lejon zgjerimin e BE-së”
Ajo thotë se mesazhet kundër Turqisë para zgjedhjeve të PE-së dhe rritja e ekstremit të djathtë, ka rritur zhgënjimin e Ankarasë.
“Ekziston një hendek (boshllëk) i gjerë mes qytetarëve dhe qendrave të pushtetit në Evropë. Ky hendek i gjerë është edhe më i dukshëm në zgjedhjet e PE-së. Nuk do të ndjeni një ndjenjë identiteti. Prandaj, ndjenja evropiane perceptohet shpesh si një abstrakt ose të paktën diçka që nuk është e afërt me nevojat e njerëzve. Prandaj, unë mendoj se pjesëmarrja në këto zgjedhje do të jetë e ulët. Problemi kryesor i Evropës është se ajo nuk mund të bashkojë qytetarët e saj në nivelin e identitetit politik dhe nuk mund të zhvillojë një projekt të ndjeshëm. Për këtë arsye, qytetarët e saj ende mbështeten në institucionet kombëtare. Kjo situatë me ndjenjat dhe mendimet nacionaliste gjithashtu shpjegon rritjen e kritikave ndaj BE-së”, tha Giannotta pasi i është rikujtuar pjesëmarrja e nivelit të ulët në vendet evropiane edhe në zgjedhjet e PE-së.
– Standardi i dyfishtë i BE-së ndaj Turqisë
Nën dritën e zgjedhjeve të PE-së, Giannotta ka përmendur edhe marrëdhëniet Turqi-BE. “Nëse duhet të flasim sinqerisht tashmë marrëdhëniet Truqi-BE janë në një situatë kritike në mënyrë të pavarur nga këto zgjedhje”, thotë ajo.
“Negociatat kanë nisur në vitin 2005, por ato u pezulluan menjëherë nga disa vende. Është e pamundur hapja e shumicës së kapitujve. Kjo është një situatë me të meta që në fillim. Edhe nëse gjithçka shkon mirë, mendoj se 17 kapitujt negociues janë peng i çështjes së Qipros”, thekson akademikja Giannotta duke bërë të ditur se Qiproja u anëtarësua në BE pavarësisht se u votua “kundër” plani i Annan në vitin 2004.
Pasi ka nënvizuar se çështja për liberlaizimin e vizave për shtetasit turq mori një hov gjatë marrëveshjes për emigrantët mes BE dhe Turqisë në vitin 2016 dhe se Evropa po vepron në mënyrën “të nënshkruajmë marrëveshjen, të sjellim liberalizimin e vizave për shtetasit turq”, Giannotta, ka vazhduar më tej:
“Përderisa në marrëveshjen për emigrantët thuhej se ‘jeni duke bërë mirë çdo gjë‘, këtë herë thanë që ‘Ju duhet të ndryshoni ligjin tuaj kundër terrorizmit. Ne nuk sjellim liberalizimin e vizave për qytetarët turq pa e ndryshuar atë‘. Po flasim për një vend që jeton me kërcënimin e terrorizmit. Këtu ne shohim edhe një herë standardin e dyfishtë ndaj Turqisë. Kjo do të thotë shkelje e parimit të reciprocitetit në mes të Turqisë dhe BE-së”.
– Marrëdhëniet Turqi-Itali
Në lidhje me veçantinë e marrëdhënieve Turqi-Itali, Giannotta ka shpjeguar se “Turqia është një partner i domosdoshëm për Italinë dhe për Evropën. Kjo nuk është vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe nga pikëpamja shoqërore, kulturore, politike. Situata këtu është përtej një miqësie të veçantë”.
Përsa i përket librit të saj, Giannotta tha se përjetimet në Turqi mund të transmetohen në Evropë më së miri nga një person që jeton në këtë vend, në të kundërtën në opinionin publik mbizotërojnë komente paragjykuese.
Shkrimtarja italiane në lidhje me idenë për shkrimin e librit i cili flet për presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe partinë e tij gjatë kësaj periudhe tha se “Në Itali ka një problem të tillë, si paragjykimi. Ka disa paragjykime të njohura kundër Turqisë. Unë gjithashtu dëshiroja të nxjerr një foto në lidhje me objektivin e funksionimit dhe dinamikën e Turqisë dhe t’i ofroja atë opinionit publik”.
Ajo shprehu kënaqësinë e saj për interesin ndaj librit, i cili rreth një vit më parë u botua në Itali. Giannotta, tha gjithashtu se “Rreth një muaj më parë, u nderua me çmimin special Kombëtar Cerruglio. Libri im mori këtë çmim për shkak se në të prezantohen analiza të paanshme. Unë marr reagime shumë pozitive. Ai ofron një vlerësim të hapur dhe të qartë për Turqinë pa patur ndonjë vlerë paragjykuese. Këtu unë jam përpjekur të nxjerr fotografinë e përjetimeve në Turqi dhe ato të Partisë AK deri në ditët e sotme. Lexuesi arrin në konkluzionet e tij”.
Në librin e saj akademikja italiane ka përmendur edhe udhëheqjen e presidentit Erdoğan me ç’rast ka thënë: “Në librin tim unë e përshkruaj Erdoğanin si njeriun e kombit. Një parti që ka në qendër një udhëheqës, lider dhe që zhvillohet rreth këtij lideri. Është një lider i tillë që mund të mobilizojë masat, të komunikojë lehtësisht me masat dhe të sigurojë shumë gjëra, veçanërisht për t’u ofruar shërbim atyre. Erdoğan është lider unik që mund t’i ofrojë vendit të tij një vizion. Kur shikoj në shkallë evropiane, nuk mund të shoh asnjë lider në këto dimensione në Evropë në këtë moment”.
Në lidhje me nxjerrjen në shitje të librit edhe në Turqi, Giannotta tha: “Po, e kam një qëllim të tillë. Kam dëshirë që libri im të takohet edhe me lexuesit turq”./AA
Fraksion.com