AktualitetTë fundit

Kokat e krimit në burgje; Gjonaj: Do të kemi ekspertizë italiane

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Romë. Gjatë kësaj vizite, Gjonaj u takua me homologun e saj, Ministrin e Drejtësisë së Italisë, Alfonso Bonafede. Ky ishte takim i dytë pas takimit të muajit Shtator 2018 në Romë ndërmjet dy ministrave, për të diskutuar mbi bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy vendeve. Në fokus të bisedimeve dypalëshe, sipas zyrës së shtypit të ministrisë ishin marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve tona dhe veçanërisht bashkëpunimi ndërmjet dy Ministrive të Drejtësisë. Të dy ministrat theksuan rëndësinë e vazhdimësisë dhe thellimin e këtij bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe të marrëdhënieve juridiksionale dypalëshe.

Pjesë e diskutimit ishte dhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatimit të regjimit të posaçëm për të dënuarit 41 bis, regjim i miratuar së fundmi në legjislacionin tonë i ngjashëm me modelin italian. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të mundësohet dhe ofrimi i ekspertizës italiane dhe vizitat e përbashkëta të stafeve penitenciare për zbatimin e këtij regjimi dhe masave të shtuara të sigurisë. Çështjet e krimit të organizuar dhe zbatimi i 41 bis, ka qenë temë diskutimi edhe në takimin e ministres Gjonaj me Prokurorin Kombëtar antimafia dhe antiterror De Raho, ku ky i fundit, por sipas njoftimit, vlerësoi bashkëpunimin midis Italisë dhe Shqipërisë për rezultatet e grupeve hetimore të përbashkëta.

Gjonaj me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Enzo Moavero Milanesi dhe të Presidentit të Autoritetit Kombëtar Kundër Korrupsionit (ANAC), Raffaele Cantone, mori pjesë në Konferencën e prezantimit të Raportit të Dytë të Italisë në kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit (UNCAC). Shqipëria është anëtare e UNCAC që nga Dhjetori i vitit 2006. Shqipëria ka ndërmarrë gjatë këtyre viteve të fundit një sërë masash në zbatim të angazhimeve nga UNCAC, sidomos në aspektin e parandalimit të korrupsionit, forcimit të kapaciteteve dhe krijimin e strukturave solide në luftën kundër korrupsionit.

 

Fraksion.com