AktualitetPolitikëTë fundit

BE: Palët të ulen për dialog, protesta të jetë paqësore

Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë dhe Ambasadave të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian i kanë bërë apel partive politike shqiptare që të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog. Pak orë përpara protestës së 6-të kombëtare, Delegacioni dhe Ambasadat anëtare të Bashkimit Europian në Tiranë theksojnë se, dënojnë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme, ndërsa u bëjnë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

“Delegacioni i Bashkimit Europian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Europian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore”, lexohet në deklaratë.

“Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e sotme të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen”, theksohet më tej.

“Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente”. përfundon deklarata.

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com