Tri arsyet pse Rama duhet ti shkruajë çdo ditë nga një letër Bashës!
Nga Alfred Peza
Prej dy ditësh me radhë, Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar qasje në komunikimin publik, me Kreun e opozitës, Lulzim Basha. Lideri socialist ka preferuar si një mënyrë të re, një nga metodat më të vjetra, të njohura nga historia e shoqërisë njerëzore. Komunikimi nëpërmjet letrave, si një formë sa klasike aq edhe serioze mes liderësh politikë, ka zëvendësuar postimet e deridjeshme në facebook, instagram apo twitter. Pavarësisht se edhe letrat e ditëve të fundit mund të jenë përcjellë përmes rrjeteve sociale, ka patur një ndryshim thelbësor, në përmbajtjen e tyre.
Ky ndryshim, qëndron në faktin se tekstet që Edi Rama ka radhitur, e tejkalojnë dukshëm jo vetëm në formë, por mbi të gjitha në përmbajtje, thelbin e komunikimit të derisotëm mes tyre. Edi Rama ndihet jo vetëm më familjar me këtë formë komunikimi, edhe për shkak të profilit dhe dimensionit të tij si publicist. Por ai ndihet me sa duket, edhe më komod, për shkak se e drejta morale dhe legjitimiteti politik këtë radhë, është tërësisht në favorin e tij.
Këtë gjë e dëshmojnë jo thjeshtë dhe vetëm dëshirat e socialistëve, militantëve apo e atyre që janë pro mazhorancës, por edhe arbitri i gjithpranuar ndërkombëtar. Zyrtarët më të lartë të SHBA dhe BE, janë shprehur se zgjedhjet e 2017 kanë qenë të rregullta dhe parlamenti e qeveria e dalë prej saj, legjitime. Për ta janë të pakonceptueshme aktet politike “in extremis” të opozitës, si djegia e mandateve parlamentare, dalja nga sistemi politik i vendit dhe firmosja marrëveshjes për të mos hyrë në një proces të rregullt elektoral, si ai i zgjedhjeve të 30 qershorit. Në këto kushte, “gjetja” e Ramës për tiu drejtuar kryetarit të opozitës me anë të letrave, fiton edhe dimensione të tjera.
E para, ato janë dëshmi të qarta, konkrete dhe publike e vullnetit të tij politik, për ti ofruar lidershipit të opozitës sonë jashtparlamentare, dialog pa kushte. Dora e shtrirë e Kryeministrit të Republikës, në drejtim të sfidantëve të tij në luftën për pushtet, e ripozicionoi atë edhe një shkallë më lart si në sytë e shqiptarëve, ashtu edhe në atë të ndërkombëtarëve. Ata shohin tani tek Edi Rama një njeri që jo vetëm nuk i ikën komunikimit direkt me kundërshtarët, por ai vihet në pozicionin e atij që bën apel për nevojën e dialogut politik pa kushte. Duke e vendosur kështu figurën e tij, në lartësinë e një njeriu, që i lutet dhe lutet çdo ditë për opozitën, në mënyrë që ajo të rikthehet në “rrugën e Zotit”.
E dyta, kjo formë e komunikimit publik, nuk është thjeshtë dhe vetëm për sot. Letrat e një kryeministri, dërguar publikisht shefit të opozitës së vendit, jo vetëm që nuk mund të shtrembërojnë sot ato që shkruhen aty “e zeza mbi të bardhë”, por ato ruhen përgjithmonë në memorien e historisë politike të vendit. Ato do të jenë një dëshmi gjithnjë e më me vlerë, në të ardhmen. Jo vetëm gazetarët e analistët, por edhe politologët, studiuesit e shkencave të komunikimit dhe historianët, kanë një lëndë të re për veprat e tyre në të ardhmen.
E treta, duke mos e kapur që në fillim, sensin e letrës së parë publike të Edi Ramës, Lulzim Basha e kuptoi të nesërmen që gaboi duke iu përgjigjur atij, jo me të njëjtën mënyrë. Kryetari i PD shfrytëzoi një miting me mbështetës e përkrahës të vet në Durrës, për të refuzuar ofertën e Kryetarit të PS. Duke patur “këshilltarë mizerabël”, ose duke mos u këshilluar fare, Basha ktheu një përgjigje emotive nën efektet e emocionit të momentit. Duke dalë i humbur, siç duket, me rezultatin e mesazhit politik që përcolli në publik. Kjo e ka ndihmuar gjithësesi, që të reflektojë shpejt. Ndaj pas letrës së dytë, Lulzim Basha u ul e shkruajti një letër akoma edhe më të gjatë se ajo e Edi Ramës. Duke dhënë si të thuash, një përgjigje, sa për të dyja letrat e para sëbashku.
Si Edi Rama, ashtu edhe Lulzim Basha në fund të fundit, në këtë kominikim me letra, nuk kanë dalë nga kornizat e pozicioneve të derisotme politike. Duke mos sjellë në pamje të parë, asgjë të re në aspektin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, i cili mbetet ende i ngrirë. Ashtu siç unë besoj se do të qëndojë deri më 30 Qershor, për shkak se Sali Berisha ia ka caktuar me kohë vijën e kuqe Lulzim Bashës, kur ka thënë: Ose Edi Rama do të iki nga qeveria, ose opozita do të shkrihet! E reja e kësaj qajse, është fakti se shqiptarët dhe ndërkombëtarët e dijnë tashmë se kush është duke kërkuar që të ofrojë zgjidhje në rrugë legjitime dhe kush po e thellon akoma edhe më shumë, zhytjen në humnerën e qëndrimeve antisistem.
Qoftë edhe për kaq, ky letërkëmbim ia vlen të vijojë. Mundësisht çdo ditë. Pse jo deri më 30 Qershor. Sepse në 1 korrik, të gjithë duhet ta kenë të qartë që sot, se nis jo vetëm një ditë e re. Një muaj i ri. Një 6 mujor i dytë për vitin kalendarik 2019. Por, bashkë me përfundimin me sukses të procesit zgjedhor të 30 Qershorit, nis edhe një epokë e re. Një faqe e re për historinë e demokracisë sonë. E cila do të lë pas qoftë edhe me dhimbje, 30 vitet e një epoke politike që e ka mbajtur peng në mënyrë ciklike, jetën e shqiptarëve dhe rrugën e zhvillimit normal të Shqipërisë.
Fraksion.com