AktualitetPolitikëTë fundit

OSBE: 250 vëzhgues do të monitorojnë procesin zgjedhor në Shqipëri

Misioni i vëzhguesve të OSBE-ODHIR, doli në një komunikim me mediat ditën e sotme, lidhur me zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Drejtuesja e misionit të vëzhguesve ambasadorja Audrey Glover, informoi se do të jenë 10 vëzhgues kryesor, 18 afatgjatë dhe 250 të tjerë afatshkurtër.

Sipas saj, zgjedhjet nuk janë vetëm një ditë, por se ajo çka vjen para dhe pas ditës së zgjedhjeve është po aq e rëndësishme sa ajo që ndodh ditën e zgjedhjeve.

“Anëtarët janë dhjetë dhe janë ekspertë ligjore, analistë politikë dhe për zgjedhjet. Do të kemi edhe 18 vëzhgues afatgjatë dhe do të dërgohen në të gjithë vendin. Direkt para zgjedhjeve shpresojmë që të kemi 250 vëzhgues afatshkurtër. Ne do të lëmë faktet që të flasin. Administrimi i zgjedhje do të jetë në fokus të punës sonë”, u shpreh Glover.

Lidhur me situatën politike në Shqipëri, ambasadorja Glover shtoi se “Ne nuk jemi policë dhe as politikanë, jemi profesionistë të zgjedhjeve. Nuk kam marrë pjesë kurrë në një palë zgjedhje ku opozita nuk ka marrë pjesë”.

Ajo shtoi se do të shihet se sa janë zbatuar rekomandimet nga misionet e kaluara, lidhur me pjesëmarrjen e grave, financimin e fushatës etj.

Glover deklaroi misioni do të dalë me një raport para zgjedhjeve, do të ketë konferencë ditën pas zgjedhjeve për konstatimet paraprake.

Po ashtu bëri me dije se raporti përfundimtar do të publikohet tetë javë pas zgjedhjeve.

“Zgjedhësit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin dhe të votojnë në mënyrë reale. Duhet të zgjedhin mes kandidatëve që duhet të bëjnë fushatë në kushte të barabarta”, tha ajo.

 

Fraksion.com