Qeveria e Maduros po forcon lidhjet me Rusinë, Kinën dhe Kubën
Qeveria e presidentit të kontestuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, është duke fuqizuar aleancën me Kubën, Kinën dhe Rusinë, për të tejkaluar krizën shëndetësore që është krijuar si pasojë e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, ka thënë ministri i Shëndetësisë së Venezuelës, Carlos Alvarado.
Banorët e Venezuelës janë përballur me zvogëlim të ilaçeve dhe pajisjeve tjera shëndetësore për vite të tëra, pasi ky shtet është përfshirë në kaos ekonomik dhe konflikt politik.
Zyrtarë opozitarë kanë thënë se keqmenaxhimi i ekonomisë dhe korrupsioni qeveritar kanë shkaktuar këtë gjendje, pavarësisht pse Maduro u vë fajin vetëm sanksioneve amerikane.
Në asamblenë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë, Alvarado ka thënë se sanksionet perëndimore kanë ndikuar në bllokimin e aseteve në vlerë të 5 miliardë dollarëve.
Sipas tij, një shumë e tillë do të mbulonte nevojat mjekësore të Venezuelës për gjashtë vjetët e ardhshme.
“Sot mund të themi me siguri se problemi ynë kryesor sa i përket shëndetësisë është bllokada që ka shkaktuar SHBA-ja”, ka thënë ai.
“Çfarë jemi duke bërë në Venezuelë për ta tejkaluar këtë situatë? Nuk jemi duke qëndruar, por jemi duke forcuar aleancën me shtetet si Kuba, Kina, Rusia, Turqia, palestinezët dhe Irani”.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump nuk ka përjashtuar aksione ushtarake për të larguar nga pushteti, atë që edhe dhjetëra shtete tjera e konsiderojnë qeveri jolegjitime në Venezuelë.
Shtetet e Bashkuara, bashkë me disa vende evropiane dhe shtete të Amerikës Latine kanë njohur liderin opozitar, Juan Guaido si president të përkohshëm të këtij vendi.
Megjithatë Maduro konsiderohet se kontrollon shtetin, meqë ka edhe përkrahjen e ushtrisë.
Kriza në Venezuelë ka detyruar 3.7 milionë persona të largohen nga shtëpitë e tyre nga viti 2015, është thënë në një raport të Kombeve të Bashkuara.
Fraksion.com