Admirali Foggo: Tranzicioni i Forcës së Sigurisë – në bashkërendim me NATO-n
Komandanti i Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s me seli në Napoli, admirali amerikan James Foggo, tha të mërkurën në Prishtinë se procesi i shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të saj, duhet të bëhet në bashkërendim me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Admirali Foggo, vizitoi Forcën e Sigurisë së Kosovës me udhëheqësit e së cilës, siç thuhet në një njoftim të forcave paqeruajtëse të NATO-s, diskutoi gjendjen e sigurisë në Kosovë, misionin e KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë e të sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si dhe çështjen e planit të Kosovës për tranzicionin e Forcës së Sigurisë.
“Admirali Foggo ritheksoi pritjet e tij që ky tranzicion të jetë një përpjekje graduale, transparente dhe gjithëpërfshirëse si dhe e bashkërenduar ngushtë me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare”.
Më 14 dhjetor të vitit që lamë pas, parlamenti i Kosovës miratoi ligjet që shndërrojnë Forcën e Sigurisë në ushtri, një vendimi që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Gjermania, ndërsa nxiti reagim kundërshtues të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që vlerësuan se koha nuk ishte e përshtatshme për një gjë të tillë.
Vendimi u prit me zemërim në Beograd, ku presidenti serb, Aleskandër Vuçiç, tha se ushtria e Kosovës rrezikon qëndrueshmërinë e gjithë rajonit, ndërsa sulmoi ashpër Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e ushtrisë së Kosovës.
Madje Beogradi e shtroi këtë çështje edhe në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por pjesa më e madhe e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit i dhanë mbështetje të drejtës së Kosovës për themelimin e ushtrisë së saj.
Forca e Sigurisë së Kosovës, që do të vazhdojë të funksionojë me emrin e njëjtë, pritet të ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë, të armatosur lehtë.
Autoritetet në Kosovë pohojnë se krijimi i ushtrisë do të jetë një proces që do të zgjasë 10 vjet dhe nuk do të zëvendësojë forcat e NATO-s që vazhdojnë të kenë mijëra trupa në Kosovë, disa qindra prej të cilëve janë amerikanë./VOA
Fraksion.com