AktualitetBota+Të fundit

Huawei: Kufizimet e SHBA-ve nuk do të kenë ndikim në objektivat e kompanisë

Themeluesi i gjigantit kinez të telekomit Huawei po kritikon vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta futur kompaninë e tij në listën e zezë me arsyetimin se ajo përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Amerikës.

Në një seri intervistash për mediat shtetërore në Kinë të martën, Ren Zhengfei tha se veprimet e administratës së Presidentit Trump nënvlerësojnë aftësitë e kompanisë së tij për të vazhduar punën dhe për zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të teknologjisë celulare 5G.

Urdhëri ekzekutiv i javës së kaluar do të frenojë transferimin e ardhshëm të pajisjeve, programeve kompjuterike dhe shërbimeve te kompania Huawei, duke kufizuar zgjerimin e kompanisë kineze në nivel global dhe përpjekjet e saj për të tejkaluar kompaninë Samsung nga Koreja e Jugut si prodhuesi më i madh i telefonave inteligjentë në botë.

Prodhuesi i dytë më i madh i telefonave inteligjentë në botë mori një goditje të fort të hënën, kur motori i kërkimeve në internet, gjiganti amerikan Google njoftoi se do t’ia kufizonte kompanisë Huawei qasjen në sistemin e saj të njohur Android në përputhje me urdhërin ekezekutiv të Presidentit Trump.

Shërbimet e kompanisë Google janë të ndaluara në Kinë, kështu që analistët thonë se vendimi i kompanisë Google mund të ndikojë më së shumti tek shitjet ndërkombëtare të produkteve të kompanisë Huawei, duke i bërë telefonat e saj më pak tërheqës për klientët nëse ata nuk janë të pajisur me produktet e kompanisë Google. Vitin e kaluar, Huawei shiti gati gjysmën e 208 milionë telefona inteligjentë jashtë vendit.

Departamenti amerikan i Tregtisë të hënën i dha kompanisë Huawei një licencë 90-ditore për të vazhduar ofrimin e përditësimeve të programeve kompjuterike të telefonave të saj ekzistues dhe për të mirëmbajtur rrjetet ekzistuese.

Firma kineze është në qendër të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme tregtare midis Uashingtonit dhe Pekinit. Shtetet e Bashkuara pretendojnë se teknologjia e kompanisë Huawei mund të përdoret për të spiunuar amerikanët, akuza që Huawei i ka mohuar në mënyrë të përsëritur.

Në betejën e Shteteve të Bashkuara me kompaninë Huawei është përfshirë edhe vajza e themeluesit Ren Zhengfeit, Meng Wanzhou, e cila shërbente në rolin e kryefinancieres së kompanisë. Zonja Meng u arrestua dhjetorin e kaluar në Vankuver me një urdhër të Shteteve të Bashkuara, duke e akuzuar atë për shkelje të sanksioneve ndaj Iranit, një veprim që e zemëroi Kinën dhe çoi në arrestimin e dy shtetasve kanadezë në shenjë hakmarrjeje kundër Kanadasë.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara, dy ekonomitë më të mëdha të botës, janë duke vazhduar bisedimet për zgjidhjen e çështjeve tregtare që kanë çuar në rritjen e tarifave për qindra miliarda dollarë të eksporteve të njëri-tjetrit.

 

Fraksion.com